Lajme

Pas Hill, edhe Hovenier: Formimi i Asociacionit s’vihet në pyetje, s’është opsional


Jeff Hovenier

Pas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk vihet në pyetje, por çështja është si do të funksionojë, të njëjtin refren ka përsëritur edhe bashkëpatrioti i tij në Kosovë, Jeff Hovenier.

Në një takim me gazetarë, Hovenier deklaroi se “Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është opsional”.

Siç e tha diplomati amerikan, ai është “obligim ligjërisht i obligueshëm të cilin e ka marr përsipër Kosova”.

Me faktin që është ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës, për ambasadorin amerikan është bërë çështje e kryer, pasi shtetet “nuk e kanë mundësinë të vendosin se cilin obligim ligjërisht të obligueshëm do ta zbatojnë e cilin jo”.

“Kosova është një shtet që e zbaton ligjin, prandaj pritjet tona janë që do të përmbush obligimin ligjor dhe ta zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Hovenier ka shkuar edhe një hap më tej, duke thënë se themelimi i këtij organizmi politik “është në interesin e Kosovës” dhe këtë SHBA-të “e besojnë fuqishëm”.

“Pa marrë fare parasysh Serbinë, kjo është një çështje me rëndësi për Kosovën”, deklaroi ai.

Ditë më parë, edhe Hill, në një intervistë për gazetën serbe “Nova” tha se sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “as nuk është pyetje që do të bëhet, çështja është si do të funksionojë dhe në çfarë mënyre do të zbatohet”.

Hill: Asociacioni as nuk është pyetje që do të bëhet, çështja është si do të funksionojë

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij paraprak se “themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës”.

“Themelimi i Asociacionit është obligim. Nuk mendoj se është vetëm e drejtë të formohet, por mendoj se është logjike. Mendoj se logjika është mekanizmi më i fuqishëm”, tha Hill.

“Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tha shumë qartë se kjo do të ndodhë, se është rënë dakord më herët dhe mbetet një kusht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore