Lajme

Pas dy orësh takim, s’ka pajtim mes Kurtit e veteranëve – protestat vazhdojnë


Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka lajmëruar se pas takimit dy orësh me kryeministrin, Albin Kurti, nuk kanë arritur të dakordohen për pikën që kategoria e veteranëve të përfshihet në Ligjin për pagën minimale.

“Me kryeministrin nuk u dakorduam sepse ne kërkuam që të kthehet pika 3.1, që e ka ndryshuar kjo qeveri me Kuvendin e Kosovës, me të cilën e kanë larguar beneficionin e veteranit të luftës që nuk mund të jetë nën pagën minimale”.

Klinaku, ka njoftuar se deri sa kërkesa e tyre të plotësohet veteranët do të vazhdojë të protestojnë.

“Ne i thamë që pika 3.1 të kthehet dhe në seancat që do të mbahen ne do të vazhdojmë me protesta deri sa kjo çështje të rregullohet”.

Më tej Klinaku, ka bërë të ditur se Kurti do t’iu dërgojë me shkrim një propozim të ri për këtë çështje.

“Do të presim se çka do të na dërgojë me shkrim Kurti. Qëndrimi ynë mbetet vetëm që pika 3.1 të mos preket, sepse është bërë shkelje ligjore. Edhe ditën që do të thërrasin seancë për lexim të dytë, i treguam edhe në zyrë që ne do të jemi në protesta, në qoftë se e rregullojnë natyrisht që do ta duartrokasim. Por nëse e heqin pikën 3.1 do të na kenë në protesta çdo ditë”.

Sipas përfaqësuesve të këtyre organizatave është diskutuar edhe për listat e veteranëve, që Kurti pretendon se janë të fryra, por që ata kanë thënë se duhet të lihet gjykata të flasë për këtë çështje.

“Kryeministri thirret prapë në shifrat e mëdha të veteranëve gjë që nuk është çështje e tij”, tha Klinaku.

Bashkë me Klinikun, në këtë takim ishte edhe Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së familjeve të Dëshmorëve.

Në prononcim para medieve, ai bëri të ditur se kryeministri dhe ministri i financave nuk qenë të gatshëm të bashkëpunonin.

“Insistonin që listat e veteranëve të pastrohen e më pas të bëjnë ndryshime ligjore. Ju treguam që nuk është detyrë e tyre, është proces gjyqësor. I thamë që shkalla e parë e ka bërë një verifikim, ka zgjatë 4 vite dhe ka vendos në favor të komisionit sepse nuk ka gjet shkelje, tani është në rigjykim e ne po presim”.

“Nëse insistohet të bëhet edhe një komision i ri për verifikim, janë njerëzit e njëjtë që do ti bëjnë këto verifikime, komandantët dhe gjykata që duhet të verifikoj a ka pas zgjedhje apo jo”, tha Jashari.

“Në radhë të parë duhet të bëhet kategorizimi me ligjin e ri i cili e obligon qeverinë që të zbatoj ligjin me pagën minimale në ligjin bazik deri të bëhet kategorizimi i veteranëve të UÇK-së”.

“Ne i treguam edhe ministrit që kanë bërë shkelje ligjore dhe kërkesa jonë ishte që të kthehet me ligjin bazik që e obligon, është funksional dhe i zbatueshëm dhe kalkulimi i benefitit të veteranit të llogaritet në bazë të pagës minimale, siç parashihet me ligj”, shtoi Jashari.

Krejt kjo, sipas Jasharit është injorim dhe degradim që po i bëhet UÇK-së.

Sipas vlerësimit të Fatmir Shurdhajt si përfaqësues i shoqatës së invalidëve të luftës, “rrjedha e bisedimeve në këtë takim ishte e mundimshme dhe e gjatë” dhe në fund pa rezultat.

“Nuk mund të arrinim konsensus me kryeministrin dhe ministrin e financave”, tha prerazi Shurdhani.

Por megjithatë kanë një fije shprese se qëndrimet e qeverisë mund të ndryshojnë në letrën që do t’ua adresojnë me shkrim.

“Presim reflektim në dërgimin me shkrim se çka do të kërkojnë nga ne që t’i përkrahim”.

“Ne do të vazhdojmë me protesta në ditën kur ky ligj të paraqitet në kuvend për lexim të dytë”.

Ndryshe Albanian Post, gjersa takimi në mes të Kurtit e Veteranëve po vazhdonte, kishte raportuar se takimi në fjalë do të përfundojë pa rezultate pasi që ngurtësia e Kurtit në raport me çështjen e veteranëve nuk ka ndryshuar, meqenëse ky i fundit kishte ripërsëritur qëndrimin e tij se pa pastruar listat e veteranëve, kategoria në fjalë nuk do të mund të përfshihej në ligjin për pagën minimale.

Raportimin e Albanian Post, e ka konfirmuar edhe vetë Klinaku, i cili ka thënë se Kurti gjatë argumentimit përsëri është thirrur në atë se listat e veteranëve duhen pastruar fillimisht në atë mënyrë që të ketë progresë në këtë çështje.

“Ne i thamë që çështja në fjalë nuk është çështja e tij, pasi që me këtë gjë po merret gjykata”.

Protesta e Veteranëve

Përfaqësuesit e organizatës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë arritur në Qeveri për takimin me kryeministrin Albin Kurti, diku rreth orës nëntë atëherë edhe kur ishte caktuar takimi.

Takimi është si rrjedhojë e protestës së veteranëve, të cilët të enjten e 16 qershorit, rrethuan ndërtesën e Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë lidhur me mos përfshirjen e kësaj kategorie në Projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë tre ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa e dytë e veteranëve, ishte edhe ndërprerja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritej të votohej Projektligji për tërheqjen e një shume të caktuar të mjeteve nga Trusti, me pretekstin se seanca nuk duhej vazhduar pa u trajtuar çështja e veteranëve.

Në anën tjetër paralelisht me protestën e veteranëve, protestë ka pasur edhe në Parlamentin e Kosovës, ku partitë opozitare duke u solidarizuar me veteranët arritën që ta bllokonin foltoren e Kuvendit kështu duke e pamundësuar vazhdimin e seancës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, detyrimisht ndërpreu seancën dhe i ftoi krerët e partive opozitare në zyrën e tij për të biseduar e rrjedhimisht për të gjetur një gjuhë të përbashkët.

Në kthim nga pauza, kryeministri Kurti, nga foltorja lajmëroi se ka pranuar kërkesën e veteranëve për dialog, kështu duke bërë të ditur se ai do të presë përfaqësuesit e veteranëve së bashku me ministrin e Financave, dhe kryetarin e komisionit për buxhet në zyrën e tij të premten e 17 qershorit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore