Lajme

Pas 7 muajsh bllokim, emërohet përbërja e re e Qeverisë së Federatës boshnjako-kroate


Ilustrim

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Federatës boshnjakeo-kroate të premten ka emëruar përbërjen e re të Qeverisë së Federatës, në një seancë të jashtëzakonshme në Sarajevë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

Në favor të emërimit të ministrave të rinj dhe të kryeministrit të këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, votuan 51 përfaqësues, dy ishin kundër dhe një abstenoi.

Paraprakisht, përfaqësuesit e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) dhe Frontit Demokratik, partitë opozitare në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës boshnjako-kroate, e braktisën seancën.

Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve u mbajt një ditë pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, ndryshoi Kushtetutën e Federatës boshnjako-kroate, me qëllim të formimit sa më të shpejtë të Qeverisë së kësaj federate.

Vendimi i Schmidit për ndryshime Kushtetuese është i përkohshëm dhe vlen vetëm për këtë cikël zgjedhor.

Kjo mundësoi formimin e qeverisë së re, e cila nuk u formua për gati shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, për shkak të kundërshtimit nga Partia e Veprimit Demokratik, partia kryesore boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë.

Formimi i Qeverisë së re në Federatën boshnjako-kroate, u përshëndet nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë dhe Ambasada Amerikane në Bosnje e Hercegovinë.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë tha se qeveria e re duhet të adresojë shpejt nevojat e qytetarëve.

Kjo zyrë i bëri thirrje qeverisë të miratojë “reforma urgjente dhe të nevojshme në mënyrë që Bosnjë e Hercegovina të ecë përpara në rrugën e anëtarësimit në BE”.

Në anën tjetër Ambasada e SHBA-ve në Sarajevë ka thënë se shpreson që qeveria e re të shfrytëzojë mundësinë për t’u ofruar qytetarëve të Federatës qeverisjen që ata duan dhe meritojnë.

“Tani është koha që koalicioni qeverisës të fillojë qeverisjen dhe zbatimin e reformave jetike të nevojshme për të rritur ekonominë e Federatës, për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar shërbimet sociale”, thuhej në një shkrim të ambasadës në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore