Lajme

Partitë në SHBA kanë shpenzuar shuma të marramendëse në reklama gjatë zgjedhjeve “Midterms”


Në pritje të zgjedhjeve “Midterms” në Shtetet e Bashkuara te Amerikës (SHBA), republikanët dhe demokratët deri më tani kanë shpenzuar pothuajse 10 miliardë dollarë për reklama.

Një shifër marramendëse, e cila tejkalon edhe shpenzimet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 si dhe është pothuajse trefishi i shumës së shpenzuar gjatë mandateve të fundit.

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka shkruar një artikull në lidhje me shpenzimet e bëra nga dy partitë më të mëdha në SHBA, para zgjedhjeve “Midterms”.

Gjatë artikullit “The Guardian” ka prekur temat më të spikatura në të cilat partitë kanë shpenzuar më shumë për reklama.

Të dy palët dhe mbështetësit e tyre kanë shpenzuar shuma të mëdha në reklamat në televizione, ato digjitale dhe në shtypin e përditshëm.

Por, fokusi i temave të reklamave, ka qenë shumë i ndryshëm për të dyja palët.

Për demokratët, aborti ka qenë një çështje kyçe.

Media amerikane “National Public Radio” (NPR), raportoi se ata kanë shpenzuar pothuajse 20 herë më shumë se sa në reklamat për abortin në vitin 2018.

Ndërkohë republikanët janë fokusuar në mesazhe të ndryshme si inflacioni, krimi dhe taksat jashtë kontrollit.

Reklama për abortin

Në qershor të këtij viti Gjykata Supreme hoqi të drejtën për abort në rang federal dhe çështja se kush duhet të ketë kontrollin mbi trupat e grave ka qenë në qendër të vëmendjes në shumë zona ku po zhvillohen zgjedhjet “Midterm”.

Demokratët kanë publikuar më shumë se 240 reklama në lidhje me të drejtat e abortit, duke kërkuar të tërheqin vëmendjen ndaj pozicioneve të shumë prej kandidatëve republikanë.

Ata kryesisht u  përqendruan te historitë personale të grave që kanë kaluar një abort.

Një nga reklamat më të fuqishme është shfaqur në Carolina-n e Jugut.

Në reklamë, një grua e quajtur Fran, shpjegon se ajo u përdhunua nga dy burra kur ishte në moshën 12- vjeçare.

Ku më pas ajo zbuloi se ishte shtatzënë dhe mundi të kryente abortin për shkak se sipas ligjit “Roe v Wade”, i cili ishte legalizuar në atë kohë, në SHBA.

Republikanët, nga ana tjetër, kanë shpenzuar shumë më pak se totali i demokratëve për reklama në lidhje me abortin.

Kandidatët republikane e kanë trajtuar çështjen me një qasje të dyfishtë.

Gjatë reklamave, ata janë munduar të përshkruajnë kundërshtarët e tyre demokratë si ekstremë ndaj  abortit. Duke u munduar të nxjerrin në pah se kandidatët republikanë janë më modern në lidhje me temën e abortit.

Reklama për kostot e jetesës

Shpenzimet e mëdha nga republikanët kanë ardhur për çështjet e kostos së jetesës, duke përfshirë taksat dhe inflacionin, i cili arriti nivelin e tij më të lartë në 40 vjet, me 9.1 për qind në qershor dhe me  8.2 për qind në shtator.

Në të gjithë vendin, reklamat republikane kanë fajësuar presidentin amerikan, Joe Biden, për rritjen, duke përmendur shpesh ndihmat prej 1.9 trilion dollarësh për lehtësimin e pasojave nga pandemia e coronavirus-it që ai nënshkroi në mars të viti 2021.

Reklama për Shefat e Partisë

Të dy partitë duket se po largohen nga liderët e tyre.

Sipas prestigjiozes amerikane “Washington Post”, që nga fillimi i shtatorit, demokratët kanë shpenzuar vetëm 3 milionë dollarë për reklamat që kanë në qendër Biden-in.

Ndërsa republikanët kanë shpenzuar vetëm 807 mijë dollarë për reklamat ku në qendër është Trump-i.

Secila palë ka shfaqur shumë reklama duke u fokusuar te krerët e partive të tyre kundërshtare.

Reklama për krimin

Sipas “Washington Post”, krimi është e vetmja çështje ku republikanët dhe demokratët i afrohen shpenzimeve të barabarta.

Republikanët kanë shpenzuar 49 milionë dollarë për reklamat që diskutojnë krimin që nga fillimi i shtatorit. Nga ana tjetër Demokratët kanë investuar 36 milionë dollarë.

Numri i vrasjeve në qytetet e mëdha ka rënë në vitin 2022, por mbetet mbi shifrat e vitit 2019.

Një studim nga Shoqata e Kryetarëve të Qyteteve të Mëdha zbuloi se krimi i dhunës ishte rritur 4.2 për qind gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti krahasuar me vitin 2021 .

Demokratët, nga ana e tyre, kanë publikuar reklama që shfaqin veten me oficerë policie në një përpjekje për të hedhur poshtë pretendimet republikane, se e majta do të zhvlerësojë forcat e policisë.

Me më pak se një javë deri në ditën e votimeve në SHBA, mbetet për t’u parë se cila nga strategjitë e partive ka ndikuar më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore