Kosova

Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Prokuroria Speciale ta hetojë procesin e tiketave


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, gjatë një konference për media ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që të anulohet tërësisht taksa për tiketat që planifikohej të vendoseshin në veturë në vlerë prej 5 eurove, dhe ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të fillojë të hetojë këtë proces.

“Kjo taksë e rëndon xhepin e qytetarëve të Kosovës, me një fjale ne e kemi zënë dorën e qeverisë në xhep të qytetarëve. Mirëpo nuk kemi lejuar që qytetarit t’i vidhen paratë. Prandaj nuk është e mjaftueshme vetëm pezullimi i kësaj takse, është jashtëzakonisht e nevojshme që kjo taksë të anulohet”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të hetojë rastin për tiketat.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të Kosovës që urgjentisht të hetojë gjithë procesin. Kjo vjedhje në tentativë duhet të marrë dënimin e merituar. Nuk duhet të lejohet që në heshtje të kaloj i gjithë kjo tentativë për varfërimin dhe për vjedhjeve e qytetarëve”, theksoi Tahiri.

Tahiri është marr edhe me 100 ditëshin e punës së Qeverisë Kurti.

“Raporti i 100 ditëshit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin që në këtë 100 ditësh vendosen bazat e qeverisjes 4 vjeçare. Në këtë 100 ditësh qeveria na tregon se cila do të jetë agjenda e saj në 4 vitet e ardhshme, cilat iniciativa fillojnë, çka do të zhvillohet gjatë 4 viteve. Ju jeni dëshmitarë edhe të sjelljes me vonesë të programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, ka thënë ai.

Tahiri ka konfirmuar se kanë kërkuar që në javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës të ketë debat paralamentar për punën 100 ditëshe Qeverisë Kurti.

“Ne kemi pritë deri sot sepse kemi besuar që është një vonesë, por prapë se prapë qeveria do të procedojë me këtë raport të 100 ditëshit. Por, kur e pamë që këta po mundohen të shmangen nga çfarëdo debati, ne tashmë kemi proceduar në administratën e kuvendit që në javën e ardhshme të vendoset debat parlamentar për 100 ditëshin e kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Ndërsa, sot gjatë ditës Qeveria ka njoftuar se ka anuluar vendimin prej 5 eurove shtesë që do t’iu kushtonte qytetarëve të Kosovës kur ta regjistrojnë veturën. 5 euro do të paguhej një tiketë ngjitëse që do të vendosej në veturë për ta konfirmuar se është e regjistruar.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, i cili ka thënë se qytetarët nuk do të paguajnë pesë euro për këtë taksë.

“Sa i përket çështjes së taksës 5 euro për tiketa ngjitëse, është marrë vendim të pezullohet si vendim dhe ta shqyrtojmë në hollësi në mënyrën se si ka ardhur deri në këtë vendim, duke përfshirë interpretimet e auditorit. Qytetarët nuk do të paguajnë 5 euro”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore