Kosova

Pas presioneve – pezullohet marrëveshja për tiketën ngjitëse prej 5 eurove


Pas presionit qytetar dhe protestave opozitare, është pezulluar vendimi i marrëveshjes për tiketa ngjitëse në automjete deri në marrjen e një vendimi tjetër përfundimtar.

Kështu ka thënë Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, i cili ka thënë se qytetarët nuk do të paguajnë pesë euro për këtë taksë.

“Sa i përket çështjes së taksës 5 euro për tiketa ngjitëse, është marrë vendim të pezullohet si vendim dhe ta shqyrtojmë në hollësi në mënyrën se si ka ardhur deri në këtë vendim, duke përfshirë interpretimet e auditorit. Qytetarët nuk do të paguajnë 5 euro”, ka thënë ai.

Këtë lajm e ka bërë të ditur edhe zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.

“Jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmoniziar me zyret ligjore të MI, MAP dhe MD”, ka shkruar Durmishi.

Ai po ashtu ka treguar se vendimin përfundimtar “do ta marrim pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë”.

Ndërkohë, një javë më parë Durmishi në Facebook kishte shkruar se kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018, në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Haradinaj kurse ministria nga Pal Lekaj.

“Kur kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Partisë Social Demokrate, të premten patën zhvilluar një aksion në oborrin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ata kanë ngjitur në veturat zyrtare tiketa me mbishkrimin ‘zhvatës’ dhe të njëjtën fjalë e kanë shkruar veturat zyrtare të kësaj ministrie.

Më pas kanë dalë personeli i MD-së dhe kanë tentuar t’ua marrin pajisjet, aktivistëve, me të cilat po i bënin këto shkrim.

Ndihmë, personelit të ministrisë i doli Policia e Kosovës, të cilët arrestuan Dardan Molliqajn, kryetar të PSD-së, si dhe anëtarët , Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore