Shqipëria

Parlamenti t’i japë legjitimitetin e duhur Presidentit të Republikës të Shqipërisë, thotë Alibeaj


“Detyrimi i parlamentit është t’i japë legjitimitetin e duhur atij që do të jetë President i Republikës i Shqipërisë”.

Kështu deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, pas dështimit të raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit.

Alibeaj ritheksoi se presidenti duhet të jetë mbi palët.

Duke ju përgjigjur në distancë kryeministrit Edi Rama, Alibeaj i bëri të ditur se për zgjedhjen e presidentit, “ne propozojmë, këta përzgjedhin, jo si lojë tango, por që ai/ajo, ç’rëndësi ka, të marrë mbështetjen e politikës, që nesër të mos e konsiderojnë vetes të njërës palë”.

“S’ka nevojë për dy për tango, se s’duhet të jetë një president për tango nga të dy, duhet një president mbi palët: President i shqiptarëve”, u shpreh Alibeaj.

Më herët Rama u shpreh se mazhoranca nuk ka partner për të rënë në konsensus për zgjedhjen e Presidentit.

“Duhen dy për tango thonë, nuk mund të bëjmë tango vetëm. Nuk kemi partner”, tha Rama për opozitën.

Alibeaj e tha i prerë se, “mënyra më e mirë është një proces i përbashkët”.

“Hapi i fundit është që pasi të identifikohet një president i gjithë pranuar mbi palët, secila duhet ta bashkëpropozojë”, vijoi Alibeaj përpara gazetarëve.

Ndër të tjera Alibeaj u shpreh se ishte pala mazhoritare ajo e cila nuk pranoi propozimet e opozitës.

“Ne shkuam përtej, ofruam këto rregulla dhe kritere që ai/ajo që do të jetë President ta dijë që do jetë aty për shkak të virtyteve që ka treguar në të shkuarën. Mjeti ynë i vetëm është që të qëndrojmë te parimet”.

Në përfundim ai bëri të ditur se ai do të marrë pjesë deri në mbyllje të procedurës së zgjedhjes së Presidentit.

“Nesër do të paraqitem në Konferencën e Kryetarëve. Do të them të njëjtën gjë, i qëndron apo jo këtij dokumenti (referuar kritereve)? Nesër presidentit mund t’i duhet që edhe tekave të opozitës t’u thotë ndal’, e përmbylli Alibeaj.

Kujtojmë se mbrëmjen e 23 majit, u ezaurua edhe raundi i dytë i votimit të Presidentit në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore