Lajme

Parlamenti Evropian miraton ndalimin e shitjeve të makinave me benzinë dhe naftë nga viti 2035


Parlamenti Evropian i ka dhënë miratimin përfundimtar marrëveshjes, të arritur nga Këshilli i Bashkimit Evropian në nëntor 2022, në lidhje me ndalimin e regjistrimeve të reja të makinave ndotëse duke filluar nga viti 2035.

Çka përmbledh të gjitha automjetet me motorë me djegie të brendshme, të furnizuara nga benzinë ​​ose naftë.

Në Asamblenë Plenare, ligji mori 340 vota pro, 279 kundër dhe 21 abstenime.

Sakaq, dispozita është pjesë e paketës evropiane “Fit for 55”, një seri reformash për të reduktuar ndikimin mjedisor të sektorëve strategjikë të ekonomisë.

Dhe që synon të vendosë rrugën drejt zerimit total të emetimeve të dioksidit të karbonit nga industria e makinave.

Synimi kryesor është ulja e emetimeve të këtyre automjeteve me 100 për qind në krahasim me vitin 2021, duke vendosur një objektiv të ndërmjetëm për vitin 2030 me një ulje prej 55 për qind për makinat dhe 50 për qind për furgonat.

Komisioni Evropian, deri në vitin 2025, do të prezantojë një metodë përmes së cilës institucionet do të jenë në gjendje të llogarisin dhe të komunikojnë të dhëna për emetimet e lëshuara gjatë ciklit jetësor të një makine ose një furgoni për shitje në treg.

Deri në dhjetor 2026, Komisioni do të monitorojë hendekun midis kufijve të vendosur nga legjislacioni dhe vlerave reale të konsumit të karburantit dhe energjisë në çdo shtet anëtar.

Po ashtu do të paraqesë një metodologji të mëtejshme që synon prodhuesit me rregulla për përshtatje.

Çdo dy vjet, Komisioni do të publikojë një raport që thekson përparimin e bërë në fushën e lëvizshmërisë me emetim zero. E para është vendosur tashmë për vitin 2025.

“Të gjitha këto objektiva do të ofrojnë qartësi për industrinë e automobilave dhe do të stimulojnë inovacionin dhe investimet nga prodhuesit”, ka thënë Jan Huitema, raportues në Eurochamber.

“Blerja dhe drejtimi i makinave me emetim zero do të bëhet më pak i rëndë për konsumatorët dhe do të çojë në një zhvillim të shpejtë të tregut të përdorur. Vozitja në mënyrë të qëndrueshme do të bëhet e aksesueshme për të gjithë”, ka shtuar ai.

Dispozita, e cila zyrtarisht do të duhet të votohet nga Këshilli i BE-së përpara se të publikohet në Fletoren Zyrtare, ka të bëjë me prodhimin e automjeteve të reja dhe jo ato që janë tashmë në rrugë ose shitjen e automjeteve të përdorura.

Për të siguruar që Evropa të kalojë në automjete më pak ose jo ndotëse, parashikohet një mekanizëm stimujsh për blerjen e makinave elektrike ose hibride, në mënyrë që t’i përgjigjet nevojave të reja për lëvizshmëri të pastër.

Ndërkaq, vendimi i Parlamentit Evropian “do t’i kushtojë Evropës qindra mijëra vende pune dhe do ta lërë një industri jetike evropiane të varur rrezikshëm nga bateritë, lëndët e para dhe tokat e rralla me origjinë dhe disponueshmëri të dyshimtë”.

“Kjo është arsyeja pse ne votuam kundër”, ka treguar eurodeputeti Pietro Fiocchi.

Sipas tij, çka është gjithashtu e rëndësishme është se ne do të bëhemi plotësisht të varur nga vendet joevropiane, veçanërisht nga Kina, për mikroçipet, litiumin dhe kobaltin.

“Ndikimi mjedisor në disa vende si Afrika, ku nxirren lëndë të para të rëndësishme për makinat elektrike, është i tmerrshëm. Prandaj, duhet t’i mbajmë në kontekstin e reduktimit të dioksidit të karbonit që shpresojmë”. Ka shtuar ai.

Eurodeputeti shpreson se “do të jemi më realistë kur të diskutojmë për uljen e emetimeve për automjetet e rënda dhe mjetet bujqësore”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore