Lajme

Parlamenti Evropian i kërkon Qeverisë së Kosovës ta themelojë Asociacionin


Parlamenti Evropian ka publikuar një draft raport për Kosovën, ku e ka mirëpritur kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave për kosovarët.

PE-ja gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran ta bëjnë këtë, por edhe i ka bërë thirrje Prishtinës që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu në raport theksohet rëndësia e negociatave Beograd-Prishtinë për integrimin e mëtejshëm evropian të Serbisë dhe Kosovës dhe u bëhet thirrje të dyja palëve që të angazhohen në dialog me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në njohjen reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ky raport i nënshkruar nga raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, lavdëron përafrimin e Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në veçanti dënimin e saj të fortë të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës dhe zbatimin e masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ajo gjithashtu përsërit mbështetjen e saj për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’iu bashkuar programit të NATO-së.

Ndërkaq ky draft raport fillimisht do t’i paraqitet Komisionit për Punë të Jashtme, kur të fillojë afati dy javor për amendamentet e mundshme.

Pas një marrëveshjeje për tekstin e amendamenteve brenda grupeve parlamentare, projekt-raporti do të paraqitet sërish në Komitet dhe më pas do të përcillet në formën e një rezolute në Parlamentin Evropian për votim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore