Lajme

Paris/ Firma e taksive pezullon makinat Tesla pas një aksidenti fatal


E quajtur G7, ndryshe firma më e madhe e taksive në Paris, ka pezulluar versionin e makinës Model 3 të Tesla-s nga flota e vet.

Masa e marrë nga kompania ka ardhur pasi një makinë e këtij lloji u përfshi në një aksident fatal gjatë fundjavës.

Në të, një person ka humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur. Kjo sepse drejtuesi i mjetit humbi kontrollin e makinës.

Nga ana tjetër, Tesla ka mohuar çdo problem teknik me makinën, pasi ka kontrolluar të dhënat nga distanca.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, zbulon se në Paris, prokurorët kanë hapur një hetim mbi akuzat për vrasje me paramendim dhe plagosje të paqëllimshme.

Lidhur me aksidentin, raportimet mediatike kanë nxjerrë se përfshinte një shofer taksie jashtë detyrës, i cili kishte marrë familjen e tij në një restorant.

Dhe se më vonë, automjeti përplasi dy këmbësorë dhe goditi një semafor dhe një furgon.

“BBC” tregon se teknologjia ndihmëse e Tesla-s lejon që automjetet të vetëdrejtohen, të përshpejtohen dhe të frenojnë në mënyrë automatike.

Mirëpo, kompania është akuzuar për mashtrim pasi teknologjia nuk e drejton automatikisht makinën dhe drejtuesve u kërkohet të ruajnë kontrollin dhe vëmendjen në çdo kohë.

Tesla, ndërkaq, e ka tregtuar funksionin si “Autopilot” dhe ka premtuar “vetëdrejtim të plotë”.

Në të kaluarën, drejtuesit kanë abuzuar shpesh me sistemin, me shembuj që variojnë nga përdorimi i telefonave teksa makina drejton pa mbikëqyrje deri te ndërrimi i sediljeve të makinës pa lënë asnjë shofer në timon.

Në fillim të këtij viti, autoritetet amerikane hapën një hetim zyrtar për sistemin Autopilot, pas 11 përplasjeve të Tesla-s që nga viti 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore