Lajme

Paralajmërohet rritje e çmimeve të derivateve në Kosovë


Ilustrim

Nga shoqata e naftëtarëve të Kosovës kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve të derivateve.

Krejt kjo rritje ka ndodhur si shkak i mungesës së derivateve në tregun e naftës në Mbretërinë e Bashkuar duke prekur kështu edhe vendet e Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian.

Nga Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kanë sqaruar se nuk e kanë mandat rregullimin e çmimeve në treg.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës – ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian – nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi në tregun kosovar, përfshirë në këtë rast çmimet e derivateve të naftës”.

“Këtë gjë e kemi bërë të njohur në vazhdimësi përmes publikimeve apo raporteve të ndryshme si dhe mjeteve të informimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim për AP-në.

 

Autoriteti i Kosovarë i Konkurrencës

Sipas tyre, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, AKK mund të reagojë në rastet kur bëhet fjalë për çmime të tepërta (grabitqare), dhe atë vetëm kur ndërmarrja apo ndërmarrjet kanë një pozitë dominuese ose pozite dominuese kolektive në tregun përkatës.

“Autoriteti i Konkurrencës do të mund të reagonte edhe në ato raste kur tregtarët/ndërmarrjet e derivateve të naftës në Kosovë veprojnë në mënyrë të koordinuar, pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo praktikës së bashkërenduar”, kanë thënë tutje për AP-në.

Ndërsa sa i përket lëvizjes së çmimeve të produkteve të naftës kanë bërë të ditur se “është e lidhur ngushtë me një numër parametrash kryesorë, e të cilët janë të njëjtë për të gjitha ndërmarrjet”.

“Këto janë para së gjithash: çmimi i naftës bruto në tregun botëror, kursi i këmbimit të dollarit amerikan si monedhë këmbimi, nxjerrjes dhe rafinimit të naftës. Këto parametra kanë qenë shumë të paqëndrueshëm muajt e fundit, sidomos në periudhën e dytë të vitit 2021”.

Nga Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës kanë premtuar se në vazhdimësi “monitoron situatën në tregun e produkteve të naftës dhe tregje të tjera, dhe nëse vëren ndonjë parregullsi, do të reagojë sipas detyrës zyrtare”.

Por, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëhej një investigim për ngritjen çmimeve të derivateve.

“Ne si Kosovë nuk mund të ndikojmë në OPEK, njëherit në çmimet e berzës, por si shtet përmes aparatit shtetëror të ruajmë konkurrencën e lirë, pra duke i parandaluar apo investiguar oligopolet apo kartelat e ndryshme të cilat tentojnë që të monopolizojnë çmimet, në këtë rast distributorët dhe shitësit e derivateve”, ka thënë Kadriaj.

Ai e ka dhënë arsyet për të cilët bizneset gjatë stinëve të ftohta i ngritin çmimet e derivateve.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj

“Zakonisht stinët e ftohta si vjeshta dhe dimri i shfrytëzojnë bizneset e derivateve për të rritur çmimet, për faktin që rritet kërkesa për ngrohje, si dhe qytetarët i shfrytëzojnë makinat për të lëvizur si rezultat i uljes së temperaturave dhe të reshurave”, tha ai.

Ai ka potencuar se në fillim shteti duhet të merret me këtë çështje duke investiguar, dhe duke kërkuar llogari nga furnizuesit e derivateve, a kanë bazë financiar apo ekonomike, apo thjesht me të dëgjuar një lajm furnizuesit e derivateve ngritin çmimet edhe pse janë furnizuar me çmimet më të ulët.

Ndërsa ka shtuar se është naivitet të presësh ndërgjegjësim të bizneseve sepse sipas tij “natyra e biznesit është rritja e fitimit, por institucionet e ruajnë bilancin tregtar si dhe ekuilibrin mikro dhe makro ekonomik në vend”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore