
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i është përgjigjur paralajmërimit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pasi u lanë jashtë Ligjit për Pagën Minimale, si shenje revolte, thanë se do ta bllokojnë hyrjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, me këtë deklaratë nuk u pajtua fare Kusari-Lila, e cila theksoi se askush nuk mund t’ia ndalojë të zgjedhurve të popullit që të hyjnë brenda në Kuvend.
“Ky kuvend sot paraqet vullnetin e popullit, përfaqësuesit e saj janë brenda, dhe natyrisht që nuk mund të ndalohet ushtrimi i detyrës të përfaqësuesve të popullit, të cilët janë skajshmërisht të interesuar që të bëjnë një zgjidhje”, pohoi ajo për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress.
Ndërkaq, kryeshefja e deputetëve të shumicës parlamentare shtoi se “është një situatë goxha komplekse në raport me procesin e identifikimit të atyre që janë paraqitur sot në lista”, duke shtuar se në të gjithë këtë situatë, sipas saj duhet që të ketë zgjidhje të ndërmjetme.
“Në këtë proces e kemi edhe ndërhyrjen e drejtësisë e cila ka ndodhur prej kohës së qeverisë Haradinaj, dhe ky është një proces që duhet të ketë një zgjidhje të ndërmjetme, deri në situatën kur të ketë një verdikt final nga organet e drejtësisë”, potencoi Kusari.
Ndryshe, me 13 korrik Kuvendi i Kosovës, me 60 vota për dhe një abstenim ishte miratuar Ligji për Pagën Minimale, ku parashihet që paga minimale të jetë 264 euro.
Mirëpo, me miratimin e këtij ligji kishin mbetur jashtë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo ishte edhe arsyeja që me 15 korrik, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) kishte protestuar në Prishtinë kundër Ligjit për Pagën Minimale.
Nga ana tjetër, Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se kanë kërkuar nga kjo e fundit që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale.
“Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë dhe të bllokojmë tutje punën e parlamentit. Presidentes i bëmë kërkesë që mos ta dekretojë Ligjin që diskriminon kategorinë që ka dhënë shumë në lutën e fundit në Kosovë”, thoshte ai para gazetarëve.
“Ne do t’i shfrytëzojmë gjitha rrugët ligjore, por do ta kundërshtojmë edhe me protestë, do i pengojmë deputetët të futen në Kuvend”.
Ai në një konferencë për media kishte thënë se përmes kësaj kërkese kanë paraqitur tri kërkesa.
“I kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme, e para këshilli ekonomik social i cili përcaktohet me ligjin e punës dhe i cili asnjëherë nuk është konsoltuar sa i përket pagës minimale tregon për një shkelje flagrante që Qeveria e Kosovës e ka bërë”.
“E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, pra të verbërve të paraplegjikve dhe tetraplegjkve të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar nga këtu ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejt e vlerave dhe të drejtave të njeriut që e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Ndërsa çështja e tretë, Tahiri kishte potencuar se është ajo e veteranëve që përfaqëson “vlera të Kosovës”.
“E treta lidhet me veteranët e Kosovës. E cila jo vetëm është shkelje por lidhet drejtpërdrejt edhe me vlerat që kjo kategori përfaqëson presim nga Kushtetuesja që ta vlerësoj dhe jemi të bindur që ky rast do t’i thyej dy padrejtësi. E para me mashtrimin flagrant të shumës minimale, i bëj pyetje publik kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Financave të na tregoj se kush e ka sot pagën 260 euro”.
Sipas Tahirit, “ky ligj që është miratuar nuk ka asnjë impakt në terren”.
Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i presidentes, Bekim Kupina.
“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, kishte thënë Kupina për AP.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
McShane e cilëson “sureale” refuzimin e Spanjës për njohjen e Kosovës
-
Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në KiE është me rëndësi historike
-
Albin Kurti më nuk po fshihet – çka na tregon gjuha brutale me Specialët e Kosovës?
-
Reagime pas publikimit të AP-së për bisedën e Kurtit me pjesëtarët e NjSI-së: S’është dashur të lejohet të marrë pjesë në varrimin e Heroit Afrim Bunjaku