Lajme

Papa Francesco inkurajon për paqe, në erërat e akullta të luftës


Papa Francesco udhëhoqi katolikët romakë të botës në Pashkë, në një meshë vigjiljeje të së shtunës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke denoncuar “erërat e akullta të luftës” dhe padrejtësitë e tjera.

86-vjeçari anashkaloi një ngjarje, e cila do të zhvillohej në natyrë të premten mbrëma, për shkak të temperaturave të ftohta në Romë.

Mjekët e tij urdhëruan maturi pasi ai u shtrua në spital javën e kaluar për bronkit.

Francesco dukej se ishte mirë gjatë shërbimit të Vigjiljes së Pashkëve, gjatë së cilës ai pagëzoi tetë të rritur të konvertuar në katolicizëm.

Pasi filloi shërbimin në pjesën e pasme të kishës, me ndezjen tradicionale të një qiriu të madh të Pashkës, ai u çua në një karrocë me rrota përpara për të kryesuar meshën.

Pashka është dita më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të krishterë, sepse përkujton ditën kur Bibla thotë se Jezusi u ringjall nga të vdekurit.

Në predikimin e tij, të lexuar para rreth 8 mijë njerëzve në kishën më të madhe të krishterimit, Papa foli për hidhërimin, zhgënjimin dhe mllefin që ndiejnë shumë njerëz sot.

“Ne mund të ndihemi të pafuqishëm dhe të dekurajuar përpara fuqisë së të keqes, konflikteve që prishin marrëdhëniet, qëndrimeve të llogaritjes dhe indiferencës që duket se mbizotërojnë në shoqëri, kancerit të korrupsionit, përhapjes së padrejtësisë, erërave të akullta të luftës” tha ai.

Papa ka bërë thirrje për t’i dhënë fund të gjitha luftërave dhe që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, ai i është referuar vazhdimisht Ukrainës dhe popullit të saj si “martirë”.

Duke lexuar predikimin e tij me një zë të fortë dhe të sigurt, Francesco tha se edhe kur njerëzit ndjenin se burimi i shpresës ishte tharë, ishte e rëndësishme të mos ngriheshim në një ndjenjë disfate, por të kërkonim një “ringjallje të brendshme” me ndihmën e Zotit.

Ai kështu, përfundon festimet e Javës së Shenjtë të dielën, duke kryesuar meshën e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe më pas duke dhënë bekimin dhe mesazhin e tij të përvitshëm “Urbi et Orbi”, nga ballkoni qendror i jashtëm i Bazilikës së Shën Pjetrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore