Kosova

Palmer dhe Lajçak: Zgjidhja i takon Kosovës dhe Serbisë, ne jemi veç mbështetës


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka potencuar se SHBA-ja nuk është palë në procesin e dialogut.

“Ne jemi këtu për të mbështetur dhe inkurajuar. Ne vazhdojmë të mendojmë që njohja reciproke është zgjidhja ma e mirë. Jemi partnerë në këtë proces, jemi të përfshirë në mënyrë aktive duke punuar edhe me Beogradin edhe me Prishtinën, duke punuar së bashku me Lajçak dhe ekipin e tij në mbështetje të arritjes së marrëveshjes së plotë për normalizim”.

Por, kur u pyet për kompromiset mes dy shteteve ai tha se “për atë vendosin vetë Kosova dhe Serbia”.

“Nuk varet nga SHBA të flasim për kompromiset, varet nga palët”.

Sipas tij, kjo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve më të gjera nga SHBA-të dhe BE-së “që të mbështesim dhe avancojmë qëllimin e integrimit evropian dhe euro atlantik për tërë rajonin Perëndimor”.

Ndërsa sa i përket formimit të Asociacionit të komunave Serbe, Palmer ka treguar se “forma se si duhet të bëhet Asociacioni është forma se si pajtohen dy palët”.

Vazhdimi i kontakteve të afërta me të dy qeveritë, çon përpara procesin dhe arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Përfaqësuesi Special të Bashkimi Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka theksuar se bashkëpunimi në mes SHBA-ve dhe BE-së është “i shkëlqyer”, duke shtuar se “ky vit ka potencial të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Është një rritje e interesimit në rajon dhe në udhëheqjen e BE-së dhe vendeve anëtare, ka pasur diskutim në mes 27 ministrave të jashtëm, do të ketë edhe një diskutim tjetër me 22 qershor. Do të kemi samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në tetor dhe e gjithë kjo platformë do të përdoret për të çuar agjendën e evropiane për rajon përfshirë edhe Kosovën përpara”, shtoi Lajçak.

Sipas Lajçak, qëllimi parësor i kësaj vizite “është përgatitja e takimit të parë midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili do të mbahet në qershor, pas pak ditësh në Bruksel”.

Ndërkohë, Lajçak ka thënë që ai nuk ka kërkuar ndryshimin e Kushtetuese së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij procesi i dialogut do të dëshmoj nëse Kosova do ta ndryshojë ose jo Kushtetutën në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.

“Ku do ta bëjnë këtë dhe për çfarë çështjesh, këtë do ta dëshmoj dialogu. Dialogu, çështjet parametrat dhe rezultati përfundimtar, të gjitha këto janë në duart e Prishtinës dhe Beogradit”, pati thënë ai.

Më 15 tetor të vitit 2020, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Beograd se në të gjitha takimet që ka pasur në Prishtinë, i është thënë se Kosova do të implementojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak pati përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është ‘Bibël’.

Në vizitën e tyre dy ditore, ata janë takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, , Zëvendës Kryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministren e Dytë dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe me krerët e partive opozitare.

Kryeministri Kurti e ka vlerësuar të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ky takim, në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit.

Ndërsa për dialogun ka thënë se “duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme”.

Para Kurtit, dy emisarët kanë takuar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Të hënën, Palmer në takime të ndara ka pritur kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Mëngjesin e së hënës, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, ka arritur për një vizitë tre ditore në Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore