Lajme

Pacolli për luftën në Ukrainë: Do të ketë ndikim edhe në Kosovë


Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitora Pacolli.

Sipas deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitora Pacolli, situata e krijuar me luftën dhe agresionin rus që po zhvillohet në Ukrainë do të ketë ndikim edhe në Kosovë.

“Situata e krijuar me luftën dhe agresionin rus që po zhvillohet në Ukrainë do të ketë ndikim anekënd botës jo vetëm në Kosovë. Ndikimin më të madh do ta kenë shtetet përreth Ukrainës”

Ajo ka theksuar se Ukraina është prodhuesi më i madh i grurit dhe drithërave, prandaj kriza mund ta kaplojë edhe Kosovën.

“Duke qenë se Ukraina është prodhuesi më i madh i grurit dhe dritharit atëherë i bije që kriza do të ndikojë anekënd botës. Mirëpo Kosova është e përgatitur dhe Qeveria e Kosovë ka marrë vendim që të rrisë rezervat shtetërore”, ka thënë Pacolli për Ekonomia Online.

Ajo ka konsideruar se zgjidhje e situatës është që Bashkimi Evropian t’i hapë dyert për anëtarësim sa më parë.

“BE-ja duhet t’i hapë dyert sa më parë që të jetë e mundur që t’i mbajë këto shtete afër dhe ta ruajë stabilitetin dhe paqen në Evropë”.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitora Pacolli.

Pacolli, bën të ditur se qeveria është duke vazhduar të punoj që të vendos masa të tjera afatshkurtra dhe të dizajnohen politika afatgjate të cilat i ndihmojnë Kosovës që të përballojë kriza të tilla.

“Ne e dimë që në botë kur shfaqen kriza të tilla janë të paevitueshme. Ajo çfarë na bënë neve që të jemi të sigurt dhe të punojmë në atë drejtim që të sigurohemi që kur të vijnë kriza të tilla ne jemi të gatshëm t’i përballojmë sa më lehtë që mundemi dhe këtë po e bëjmë. Kjo krizë na ka gjetur në krizë dhe ne po punojmë që ta përballojmë sa më lehtë dhe në të ardhmen të fuqizohemi si shtet dhe të mos kemi ndikime të tilla”.

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, përveç që është paralajmëruar nga ekspertët e sigurisë që mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës është alarmuar edhe për një krizë ushqimore që mund të sjellë ky konflikt në Kosovë.

Pavarësisht këtyre alarmeve që janë bërë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje për Albanian Post, ka bërë të ditur se aktualisht qarkullimi i mallrave është duke u zhvilluar lirshëm.

“Të gjithë kufijtë e vendit janë të hapur dhe qarkullimi i mallrave zhvillohet lirshëm. Rrjedhimisht, mund të thuhet që s’mund të ketë krizë ushqimore, pavarësisht ‘alarmit’ që ka qëllim përfitues tek bizneset e ndryshme”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për AP.

Në Kosovë, ka produkte nga Ukraina, por jo në sasi të mëdha.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, vlera e mallrave ukrainase, të importuara në vitin 2020, ka qenë rreth 19 milionë euro, ndërsa, vitin e kaluar, kjo vlerë gati është dyfishuar: mbi 36 milionë euro.

Miell, kafe, çaj, vaj, tekstil, qeramikë janë disa nga produktet e importuara vitin e kaluar nga Ukraina në Kosovë.

Kurse, mallrat që Kosova ka eksportuar në Ukrainë vitin e kaluar kanë kapur vlerën e mbi 22 mijë eurove, ndërsa në vitin 2020 mbi 70 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore