Lajme

Pacolli: “Kosova po bënë kompromise të mëdha” në pranimin e planit evropian


Behgjet Pacolli, Kryetar i Aleanca Kosova e Re (AKR)

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, përmes një cicërime në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se propozimi aktual i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë – i njohur si plani evropian, nuk është ajo që kanë shpresuar qytetarët e Kosovës, duke shtuar se Kosova po bënë kompromise të mëdha.

“Kosova duhet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE, dhe të mbështetur nga SHBA. Propozimi aktual nuk është ajo që kanë shpresuar dhe iu është premtuar njerëzve në Kosovës me vite të tëra, por ofron një derë të vogël për të ndryshuar status-quo-në që nuk është në interesin e tyre”, shkroi ai.

Tutje, ish presidenti vlerëson se Kosova me pranimin e propozimit evropian po bënë kompromise të mëdha, të cilat në të ardhmen mund të krijojnë sfida të reja për Kosovën, dhe vlerësoi se është e nevojshme ndihma e parterëve perëndimor për njohjen e pesëshes evropiane që nuk e njohin ende Kosovën.

“Me këtë propozim, Kosova po bën kompromise të mëdha që kanë potencial për të thelluar polarizimin dhe për të krijuar sfida të reja për vendin në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kërkohet mbështetje BE-SHBA-së për të marrë njohjen e BE-5, Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO”, shtoi ai.

Ndërkaq, Pacolli potencon se Kosova është kampione sa i përket respektimit të drejtave të pakicave që jetojnë në shtetin kosovar.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë udhëheqjen e Kosovës në rajon si një demokraci reale për të gjithë njerëzit e saj. Integrimi i serbëve nuk është penguar nga Kosova, por nga politika hegjemoniste e Serbisë”, nënvizoi ai.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), të enjten ka publikuar edhe agjendën për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara veç e veç me të dy liderët ballkanikë, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në takimin e Ohrit, palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore