Lajme

Osmani uron Xhaferin: Moment historik për gjithë shqiptarët në Maqedoni të Veriut


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Talat Xhaferin i cili u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut këtë të diele.

“Urime, Kryeministër Talat Xhaferi! Sot shënon një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoni të Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Osmani në platformën X.

“I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë, suksese”, ka shtuar tutje presidentja kosovare.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan për qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut  e cila do të drejtohet nga ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Talat Xhaferi, i cili për herë të parë drejtoi edhe legjislativin maqedonas nga viti 2017, ndërsa nga sot do ta drejtojë edhe ekzekutivin e Maqedonisë së Veriut për 100 ditë deri në zgjedhje.

Xhaferi u zgjodh kryeministër përmes 65 votave pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë. Deputetët e opozitës maqedonase nën drejtimin e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në votim. Gjithashtu, në votim nuk morën pjesë as pjesëtarët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Duke marrë parasysh që kjo qeveri është vazhdim i qeverise paraprake, unë dhe qeveria që do të udhëheq do të vazhdojë aplikimin e politikave të kaluara. Puna e qeverisë do të zbatohet në parimin e respektimit të plotë të ligjeve, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta parlamentare”, nënvizoi Xhaferi në hyrje të ekspozesë së qeverisjes teknike.

“Avancimi i lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, aleancën e NATO-s dhe SHBA-në, përfshirë zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndër-etnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm, drejt integrimit të suksesshëm euro-atlantik, do jenë prioritetet e qeverisjes teknike”, shtoi Xhaferi.

Xhaferi zgjidhet kryeministër i Maqedonisë së Veriut – kthesë për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore