Lajme

Osmani takon komandantin e FSK-së, diskutojnë për situatën në vend dhe rajon


Bashkim Jashari, Vjosa Osmani dhe Blerim Vela

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të mërkurë ka takuar në takim të rregullt komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, ku me ç’rast që të dy kanë diskutuar mbi situatën në vend e në rajon.

Bazuar në njoftimin e Zyrës së Presidentes, komandanti i FSK-së ka njoftuar presidente lidhur me zbatimin e programeve për ngritje të kapaciteteve të FSK-së dhe bashkëpunimit me shtetet mike.

“Presidentja Osmani dhe Komandanti i FSK-së diskutuan mbi situatën në vend dhe rajon, si dhe hapave që ka ndërmarrë FSK-ja për të adresuar sfidat e mundshme ndaj paqes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe më 15 prill Osmani kishte mbledhur strukturat e sigurisë së Kosovës, pas sulmeve ndaj Policisë në Veri.

Samedin Mehmeti dhe Xhelal Sveçla

Të premten e 15 prillit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të jashtëzakonshme për media kishte bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.

Sulmi i fundit, ka thënë Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e së premtes.

“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.

“Ky sulm tashmë me granate dore dhe AK-47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Sveçla, që në konferencë ishte bashkë me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Sveçla, kishte bërë të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore