Kosova

Osmani takon deputetin e BeH-së: Vuajtjet e popullit tuaj, i ndajmë edhe ne


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim këtë të marte deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje e Hercegovinës, Shemsedin Mehmedoviç, si dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë, përfshirë zëvendëskryeministren e Kosovës, Emilja Rexhepi, dhe deputetë të Kuvendit, në ditën e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës.

Siç njofton zyra e presidencës, Osmani në takim ka potencuar se “vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe”.

“Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndërsa, shtohet se e para e vendit ka përsëritur “dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës, sepse ky mohim ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”.

“Në diskutim me deputetin Mehmedoviç, Presidentja Osmani ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi”.

Nga ana tjetër, deputeti Mehmedoviç ka falënderuar presidenten Osmanin “për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për rolin e saj në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës për Gjenocidin në Srebrenicë”.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar gjenocidin e kryer 28 vjet më parë në Srebrenicë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Osmani ka thënë se ky do të jetë “gjenocid i paharruar”.

“8372 jetë të pafajshme! 8372 nëna të Srebrenicës që edhe sot kërkojnë drejtësi për bijtë e tyre! Një gjenocid që nuk do të harrohet kurrë”.

Teksa është shprehur se sulmet ndaj Kosovës e Bosnje-Hercegovinës vazhdojnë edhe sot.

“Një regjim, që edhe sot e mohon gjenocidin në Srebrenicë e kudo në Bosnjë e Hercegovinë, sikurse e mohon edhe gjenocidin në Kosovë. Po i njëjti regjim që avokonte për gjenocidin atëherë e që i sulmon Kosovën e Bosnje-Hercegovinën edhe sot”.

“Mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen asnjëherë në faktorë të paqes. Kujtim i përhershëm për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, ka shkruar Osmani.

Në korrik të 1995-s, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenicës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Osmani: Gjenocidi i Srebrenicës s’do të harrohet kurrë, regjimi i njëjtë vazhdon të sulmojë Kosovën dhe BeH

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore