Lajme

Osmani takohet me Fayot – diskutojnë për luftën ndaj korrupsionit në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim të martën e 5 prillit Ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut,  Franz Fayot.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidencës, përmes njoftimit për media.

“Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Luxemburgun si një nga kontribuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës”.

“Në veçanti, Presidentja Osmani u falënderua për angazhimin e Luxemburgut për kontributin e pashoq në fushën e shëndetësisë ndër vite, si dhe në fushën e arsimit”, thuhet në njoftimin për media.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot.

Po ashtu, Fayot ka vlerësuar progresin e gjithëmbarshëm në Kosovë, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive”.

Ndryshe, presidentja Osmani do të mbajë konferencë për media të hënën nga ora 15:00 për të bërë të ditur punën e saj një vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore