Lajme

Osmani takohet edhe me Nikollën, në fokus forcimi i demokracisë


Vjosa Osmani dhe Lindita Nikolla

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka njoftuar se në fokus të diskutimeve me kreun e legjislativit shqiptar ka qenë forcimi i demokracisë e avancimi i interesave të përbashkëta të të dy vendeve.

“Përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë në forcimin e shtyllave të demokracisë. Falënderoj për diskutimet përmbajtësore Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë”, ka shkruar presidentjna Osmani të hënën.

E para e shtetit ka pasur takim edhe me Kyreministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin ka njoftuar se ka pasur një “bisedë përmbajtësore” lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë dhe mënyrën e vazhdimit të bashkëpunimit reciprok.

“Me Kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka shkruar presidentja Osmani.

Takimi mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Rama vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, por edhe mes dy qeverive shqiptare në Prishtinë e Tiranë.

E në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja Osmani ka thënë se kryefjala e vizitës së saj në Tiranë ka të bëjë me përpjekjet për unifikimin e politikës së jashtme të të dy vendeve e në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

“Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi dhe në interes jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit dhe më gjerë. Prandaj, kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka kërkuar sërish mbështetjen e shtetit shqiptar, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), posaçërisht në raport me dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe krizën në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

Osmani e Rama “bisedë përmbajtësore” për të ardhmen evropiane

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore