Kosova

Osmani pritet me nderime të larta shtetërore nga Gjukanoviç


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti malazez, Millo Gjukanoviç.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me nderime të larta shtetërore në Mal të Zi nga presidenti malazez, Millo Gjukanoviç të martën e 7 shkurtit.

Osmani pritjen me nderime të larta shtetërore nga Gjukanoviç e ka bërë të ditur përmes një video të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.

“Pritja me nderime të larta shtetërore nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç”, ka shkruar Osmani.

Presidentja gjatë vizitës në Mal të Zi do të takohet edhe me Kryeministrin me mandat teknik Dritan Abazoviç.

Në agjendën e Osmanit është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.

Më 6 shkurt, e para e shtetit ka udhëtuar drejt Malit të Zi për vizitë zyrtare ku do të takohet me homologun e saj Milo Gjukanoviç.

“Gjatë vizitës në shtetin fqinj, Presidentja Osmani do të zhvillojë takim me Presidentin Gjukanoviç, ku përveç konfirmimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore, do të diskutohet edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit”, thuhej në njoftim nga zyra për media e Osmanit.

Në Ulqin, ajo përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës.

Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore