Lajme

Osmani: Planin për de-eskalim në veri të Kosovës ua kam dorëzuar misioneve të OSBE-së në Prishtinë dhe Beograd


Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), deklaroi se propozimi i tij për qetësimin e situatës në veri të Kosovës iu është dorëzuar misioneve të OSBE-se në Prishtinë dhe Beograd.

Në një paraqitje për televizionin maqedonas “Telma”, ai pohoi se “Plani me nëntë pika”, të cilin e prezantoi gjatë fundjavës, “nuk është plan i OSBE-së – kjo organizatë ndërkombëtare i merr vendimet me konsensus – por nga Maqedonia e Veriut dhe unë si kryesues i OSBE-së”.

“Roli im si kryesues i OSBE-së është të ofroj një zgjidhje për de-përshkallëzim. OSBE-ja është në thelb një platformë për dialogun, komunikimin dhe menaxhimin e konflikteve. Kemi dy misione të mëdha, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Beograd”, theksoi Osmani.

Kryediplomati maqedonas shtoi se propozimi i tij është veç një nga përpjekjet plotësuese të organizatave dhe organeve tjera ndërkombëtare për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Pra, ne kemi një detyrim shtesë, jo vetëm si kryesues të OSBE-së, por edhe si shtet ku është arritur marrëveshja (Marrëveshja e Ohrit/18 mars). Ju mund të shihni se masat e propozuara janë të ngjashme me masat e ofruara nga organizata të tjera ndërkombëtare”, potencoi ai.

Ndryshe, tensionet janë kthyer sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit, përkatësisht në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dalje nga kriza.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohen për rizgjedhje në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, pas tensioneve të fundit atje. Por me kusht që serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

Bujar Osmani shpalos planin me 9 pika të OSBE-së për de-eskalim ne Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore