Lajme

Bujar Osmani shpalos planin me 9 pika të OSBE-së për de-eskalim ne Veri


Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka publikuar nëntë pika të cilët duhet ta ndjekin Kosova dhe Serbia për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës.

Pika e parë për shtensionimin e situatës në Veri, kërkon nga Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Pika e dytë kërkon që Qeveria e Kosovës të tërheqë forcat e Njësisë Speciale nga Veriu ndërsa në anën tjetër Serbia të ulë gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.

Policia e Kosovës, thotë më tej pika e tretë, duhet të merret me sigurinë në terren në pjesën veriore nën asistimin e KFOR-it dhe EULEX-it.

Në pikën e katër të udhërrëfyesit për de-eskalimin e situatës në Veri, kërkohet anulimi i protestave dhe rrjedhimisht rifillimi i jetës normale në këtë pjesë të vendit, pasi që rikthehen në funksion shërbimet e komunave për qyetatarët ku në komuna aksesi u jepet vetëm punonjësve komunal.

Pika e pestë e planit të OSBE-së thotë në mënyrë të qartë se kryetarët e sapozgjedhur në Veri japin dorëheqjen në verën e vitit 2023, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të parakohshme komunale.

Pika e gjashtë saktëson se zgjedhjet e parakohshme komunale në Veri mbahen këtë vit.

OSBE-ja mbështet procesin zgjedhor, duke rritur legjitimitetin dhe besimin ndërmjet komuniteteve, thotë pika e shtatë.

Pika e tetë tregon se OSBE-ja angazhon të rinj në programet dhe proceset e pajtimit.

Pika e nëntë qartëson se OSBE-ja mbështet zbatimin me mirëbesim të dispozitave të dakorduara dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, menjëherë pas takimit joformal 10-minutësh ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania, u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndërsa Borrell, i cili ishte pjesë e këtij takimi, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.

“Zgjedhje të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

EKSKLUZIVE/ 8 pikat ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e situatës në veri

Ndryshe Albanian Post më 1 qershor publikoi skenarin tetë-pikësh, i hartuar nga vendet e QUINT-it e Bashkimit Evropian, për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës.

Në pikën e parë, të dokumentit të publikuar nga AP, kërkohet angazhimi i menjëhershëm për interpretimin e Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në Ohër, veçanërisht në pikat 1,3,7 dhe 9.

Artikulli 1 kërkon që palët të zhvillojnë raporte normale. Artikulli 3, që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore. Ai 7, që ka të bëjë me krijimin e komunave të vetëmenaxhuara me shumicë serbe në Kosovë si dhe artikulli 9, ku të dy palët dhe donatorë angazhohen për të krijuar paketa financiare për zhvillimin ekonomik.

Pika e dytë, parasheh tërheqjen e Forcave Speciale të Kosovës nga veriu, bashkëngjitur me tërheqjen e Ushtrisë serbe nga kufiri verior i Kosovës.

Në pikën e tretë shkruhet se siguria në territorin e komunave veriore i kalon Policisë së Kosovës, asistuar nga KFOR dhe EULEX.

Pika e katërt parasheh zhbërjen e çdo proteste dhe rikthimin e jetës normale në vend. Punonjësit e komunave duhet të kthehen në pozitat e tyre dhe të ushtrojnë detyrën pranë objekteve sipas parashikimit ligjor.

Në korrik 2023, kryetarët e komunave japin dorëheqje dhe presidentja Vjosa Osmani shpall zgjedhje të reja.

Pika e gjashtë parasheh mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në fund gushti ose fillim shtatori 2023.

Kërkohet ndërkaq sipas pikës shtatë se pikat 3,4,5 dhe 6 të marrëveshjes bazë, do të kenë progres domethënës, duke implementuar edhe artikullin 1 të marrëveshjes.

Në mes nëntori, siç përshkruan pika e 8 dhe e fundit, implementohet me efektivitet artikujt 1,2,3,4 dhe 9 të marrëveshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore