Lajme

Osmani përkujton masakrën ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ditën e tre dhe katër shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të Mitrovicës, në mesin e të cilëve kishte pleq, gra dhe fëmijë.

Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka shkruar se kujtimi për ta vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen e institucioneve.

“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Masakra në Mitrovicë.

Ndërsa, e para e shtetit kujtoi edhe numrin e të plagosurëve nga ajo natë dhe dëbimet që janë bërë.

“25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës”.

Teksa u shpreh se, “ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm!”.

Kanë kaluar 22 vjet që kur një grup i armatosur i serbëve kishin vrarë 10 qytetarë shqiptarë dhe kishin plagosur 25 të tjerë.

Pas natës së 4 shkurtit rreth një mijë e 600 familje me rreth 11 mijë e 500 banorë u shpërngulën nga pjesa veriore e Mitrovicë, pasi u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore