Lajme

Osmani për sulmin në Oslo: “Sulm i tmerrshëm ndaj lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të njeriut”


Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

“Sulm ndaj lirisë, pavarësisë e të drejtave të njeriut”, ka reaguar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndaj sulmit në Oslo të Norvegjisë.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga të shtënat vdekjeprurëse në Oslo. Ky është një sulm i tmerrshëm ndaj lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të njeriut. Ne qëndrojmë me popullin e Norvegjisë”, ka shkruar Osmani në twitter.

Dy persona u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën nga të shtënat jashtë një klubi nate të njohur LGBTQ në Oslo.

Transmetuesi norvegjez “TV2” tregoi pamjet e njerëzve që vraponin nëpër rrugët e Oslos në panik, ndërsa të shtënat shpërthyen në sfond.

Departamenti i policisë tha në një postim në Twitter se dy persona ishin “konfirmuar të vdekur”.

Tre persona janë lënduar rëndë, ndërsa 19 kanë marrë trajtim mjekësor.

I dyshuari është kapur aty pranë nga policia, me ndihmën e civilëve. Motivi i sulmit nuk ishte menjëherë i qartë pasi i dyshuari nuk kishte bërë asnjë deklaratë.

Policia ka konfiskuar dy armë zjarri të përdorura në sulm, por autoritetet nuk besojnë se ndonjë person tjetër ishte i përfshirë.

Në kryeqyteti norvegjez është planifikuar të mbahet parada e tij vjetore e Krenarisë të shtunën e 25 qershorit.

Policia është në kontakt me organizatorët e manifestimit të Krenarisë dhe do të ketë një vlerësim të vazhdueshëm se çfarë masash duhet të marrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore