Kosova

Osmani në samitin Brdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Procesit Brdo-Brione, ka deklaruar se është interes strategjik që Kosovës, t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian.

Osmani, gjatë fjalimit të saj në samitin e Procesit të Brdo-Brionit, të mbajtur në Shkup, më 11 shtator para krerëve të shteteve të rajonit ka theksuar se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike.

“Përderisa aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Asambleja Parlamentare, është me rëndësi që Kosova të ecën përpara edhe me statusin e kandidatit në BE, në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe rrisin standardet e jetesës për  të gjithë qytetarët, pa dallim”.

Sipas saj që nga takimi i fundit i këtij procesi, Kosova ka shënuar hapa të “ndjeshëm” suksesi në disa aspekte.

“Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”.

“Në këtë kontekst, ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut, fushën e teknologjisë informative, etj”.

Pavarësisht largimeve çdo vit e më shumë të të rinjve nga Kosova, ajo tha se mundësitë për të ndërtuar një të ardhme të mirë “janë lehtësisht të disponueshme”.

“Ndërkaq në raport me perspektivën e të rinjve të Kosovës, Presidentja Osmani tha se më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës është nën 30 vjeç, ndaj sipas saj ndërtimi i një mjedisi ku mundësitë për zhvillim social dhe ekonomik janë lehtësisht të disponueshme, janë prioritet në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë”.

E para e Kosovës, ka përmendur edhe efektet e ndryshimeve klimatike.

“Kosova është përcaktuar për ta ardhmen e gjelbër të saj. Presidentja tha se tranzicioni i gjelbër është mundësi e mirë për gjenerim të vendeve të punës, rritje të produktivitetit dhe sigurim të energjisë”.

Çka është samiti i Brdo-Brione?

Samiti i Brdo-Brione ka filluar që nga viti 2013.

Ishte iniciuar nga presidenti i atëhershëm i Sllovenisë, Borut Pahor, dhe ai i Kroacisë, Ivo Josipoviç.

Ky takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, vjen në prag të atij të nivelit të lartë që pritet të mbahet më 14 shtator, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel.

Zyrtarët e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas pushimeve të verës, kanë filluar përpjekjet e tyre më të fuqishme për të arritur ndonjë zgjidhje të problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dy vendet fqinje ishin dakorduar për Marrëveshjen Bazë, e cila parashihte të normalizonte marrëdhëniet mes tyre, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit.

Mirëpo, ngjarjet e krijuara në Veriun e Kosovës që nga 26 maji, e kanë lënë në hije zbatimin e kësaj marrëveshje.

Prandaj, edhe angazhimet aktuale të diplomatëve amerikano-evropianë janë në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore