Lajme

Osmani në Moldavi, Vuçiç në Moldavi, Lajçak në Moldavi


I Dërguari i Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, këtë të mërkure është duke udhëtuar për në Kishinau, kryeqytetin e Moldavisë.

Atje ai do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, raporton media opozitare serbe “Danas”.

Aleksander Vucic

Ndërsa, për në Moldavi këtë të mërkure ka udhëtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani aty pritet  ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Në samit do të marrë pjesë Vuçiç, ndërsa Lajçak do të udhëtojë në Kishinau vetëm për të biseduar me presidentin serb për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Të enjten, më 1 qershor, Kishinau (Moldavi) pret samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, i cili u nis në tetor 2022 në Pragë me iniciativën e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Lajmi për udhëtimin e Osmanit u bë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhej në njoftim.

Vjosa Osmani

Po ashtu, në komunikatë thuhet se krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

“Para liderëve të tjerë evropianë, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve bilaterale, e para e shtetit pritet të diskutoj edhe për thellimin e bashkëpunimit me liderët e tjerë evropian që do të jenë të pranishëm.

“Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore