Lajme

Osmani në Forumin e Diplomatik ka kërkuar të kultivohet solidarizimi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të sesionit të parë të Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë ka thënë se situata e krijuar me pandeminë COVID-19, ka shtuar edhe pabarazitë.

“Nisur nga situata e krijuar me pandeminë, theksova që COVID19, përveç emergjencës shëndetësore, ka shtuar pabarazitë”.

Ajo ka shtuar se pandemia po ashtu ka vënë në qendër të vëmendjes rëndësinë e multilateralizmit.

“Na ka dëshmuar se duhet të rishikojmë modelin aktual të globalizmit, ka rivënë në qendër të vëmendjes rëndësinë e multilateralizmit, dhe se ka dërguar mesazh të qartë se sa jo i balancuar është aktiviteti njerëzor karshi mjedisit”, ka shkruar Osmani.

Osmani më tej ka falënderuar edhe shtetet mike dhe nismat si COVAX për ndihmën që iu kanë ofruar në kohën më të rëndë që ka kaluar njerzimi.

“Duke falënderuar shtetet mike dhe nismat si COVAX për ndihmën e tyre në këto kohë sfiduese, theksova që në mënyrë të ngjashme duhet të kultivojmë tutje solidarizmin, por gjithnjë duke pasur për bazë kritere të drejta si dhe të sigurohemi që të ringritemi përmes politikave që promovojnë gjithpërfshirjen dhe barazinë gjinore”, ka thënë Osmani.

Gjatë takimit të parë në sesionin e parë të Forumit Diplomatik në Antali, kanë qenë pjesëmarrës,Mohamed Abdullahi Farmajo – President i Somalise, Uhuru Kenyatta – President i Kenyas, Abdullah Abdullah – Kryesues i Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtim Kombëtar.

Po ashtu, kanë qenë pjesëmarrës përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, njëherësh nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe Mathias Cormann – Sekretar i Përgjithshëm në OECD.

Osmani për fund ka shkruar se kanë diskutuar për qeverisjen globale dhe qasjet e reja për zgjidhje globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore