Lajme

Osmani: Maqedonia e Veriut ndalon aeroplanët rusë në hapësirën e saj ajrore


Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nëpërmjet cicërime në Twitter ka njoftuar se Maqedonia e Veriut do të ndalojë aeroplanët rus nga hapësira e saj ajrore.

“Maqedonia e Veriut sapo ka vendosur t’u bashkohet shteteve të tjera të BE-së në ndalimin e linjave ajrore Rusisë nga hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Osmani.

Ai ka potencuar se “ne jemi të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainë dhe i bëjmë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet ushtarake”.

Edhe Qeveria italiane ka vendosur te mbyllë hapësirën ajrore për avionët rusë, duke iu bashkuar kështu vendeve të tjera evropiane.

Ata i mbyllën hapësirat e tyre për avionët ruse që mëngjesin e 27 shkurtit.

Ndërkaq Ukraina ka paraqitur kërkesën e saj kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksyy, mesditën e 27 shkurtit, përmes një postimi në median sociale Twitter.

“Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për manipulimin e nocionit të gjenocidit për të justifikuar agresionin”.

Zelenskyy shkruan se “kërkojmë një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të ndërpresë aktivitetin ushtarak që tani” dhe “presim që gjyqet të fillojnë javën e ardhshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore