Lajme

Osmani i dorëzon urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekaj


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzon urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dorëzuar urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekaj, të cilin ia kishte ndarë po ashtu presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në vitin 2005.

Kështu është bërë e ditur nga zyra e presidencës, në të cilën thuhet se Osmani morri pjesë në një ceremoni me familjarë të heroit Çekaj.

“Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut. Sali Çekajn e gjejmë në ballë të betejave për organizimin e jetës institucionale dhe rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës gjatë fillimit të viteve të 1990-ta”.

“Pas largimit nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi pushtues i Serbisë, Sali Çekaj dha një kontribut të pashoq në organizimin e diasporës shqiptare dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzon urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekaj.

Presidentja është shprehur se Sali Çekaj ka pasur rol qendror në organizimin e rezistencës së armatosur për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Sali Çekaj ka organizuar dhe drejtuar me shkathtësi dhe trimëri disa nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në rënien e tij heroike, në betejën e Koshares”.

“Ndërkaq, familjarë të heroit Sali Çekaj falënderuan Presidenten Osmani për respektin jo vetëm ndaj heroit, por edhe të luftës çlirimtare”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzon urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekaj.

Sali Çekaj, është i njohur për publikun si njëri nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe aktivist i madh i kombit shqiptar.

Ndryshe, urdhri “Hero i Kosovës” u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e po ashtu qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore