Lajme

Osmani flet për takimin me kryeministrin e Belgjikës, thotë se “diskutuan mbi zhvillimet e fundit”


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Moldavi është takuar me Kryeministrin e Belgjikës, Aleksandër De Croo.

Përmes një cicërime në Twitter, Osmani është shprehur falënderuese për marrëdhëniet Kosovë-Belgjikë, derisa e ka informuar De Croo-n për zhvillimet e fundit. Po ashtu, ajo është shprehur falënderuese për udhëheqjen e tij në thellimin e raporteve në mes dy vendeve.

“Theksova rëndësinë e bashkëpunimit tonë të ngushtë në avancimin e rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe e falënderova për udhëheqjen e tij në thellimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, shkroi Osmani në llogarinë e saj në Twitter.

Përndryshe, Osmani ka marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku ishin edhe liderët e tjerë nga mbarë Evropa.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç. Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”, ka shkruar presidentja në një postim të djeshëm në Facebook.

Qëllimi i organizimit të këtij samiti mbetet bashkëpunimi për paqe, stabiliteti dhe siguria afatgjate në territorin evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore