Lajme

Osmani e Princi William ulen afër njëri-tjetrit në ceremoninë “Earthshot Prize” në Singapor


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e “Earthshot Prize”, një nismë e organizuar nga princi William, për t’i trajtuar disa nga sfidat mjedisore me të cilat po përballet planeti.

Pjesëmarrjen në ceremoninë e Princit William, e ka konfirmuar vetë Osmani, përmes një postimi në llogarinë e saj të Facebook, ku nuk munguan as imazhe të shkrepura nga evenimenti në fjalë.

Madje, Osmani duket të ketë pasur nderin të jetë ulur pikërisht afër Princit William.

“Isha e nderuar të marrë pjesë në ceremoninë e ‘Earthshot Prize’, një nismë frymëzuese globale, e krijuar nga Princi William për t’i trajtuar disa nga sfidat mjedisore me të cilat përballet planeti ynë, duke angazhuar potencialin e jashtëzakonshëm të rinisë”, ka shkruar Osmani.

“Së bashku, ne mund të punojmë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për brezin e ri”, ka shtuar ajo.

Por, Osmani s’kishte rastin të takonte edhe bashkëshorten e Princit William, Kate Middleton – për mungesën e kësaj të fundit, AlbanianPost ka raportuar të hënën e 6 nëntorit.

Princi William ka shpjeguar arsyen se pse Kate Middleton nuk udhëtoi me të në vizitën e tij në Singapor.

Ai tha se gruaja e tij nuk mund të ishte me të për një arsye të rëndësishme familjare: shkollimin e Princit George.

“Catherine i vjen shumë keq që nuk mund të jetë këtu”, tha Princi i Uellsit, 41 vjeç.

“Ajo po e ndihmon George në grupin e tij të parë të provimeve kryesore”, shtoi ai.

Pallati Kensington konfirmoi më parë se Princi William do të udhëtonte vetëm në Singapor për shkak të provimeve të djalit të tyre.

Kjo shënon herën e parë që Princesha Kate do të humbasë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Earthshot”, në të cilën ajo ka marrë pjesë në dy vitet e fundit (në Londër për ngjarjen inauguruese dhe më pas në Boston në vitin 2022).

Princi William zbulon arsyen e mungesës së Kate Middleton në udhëtimin e tij në Singapor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore