Lajme

Osmani: Çështje ditësh kur përfundon krijimi i bazës ligjore për peticionin për zgjedhjet në Veri  


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur në një konferencë për media se është çështje ditësh kur do të përfundojë krijimi shtratit ligjor për përdorimin e të drejtës së peticionit përmes së cilës mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës.

“Është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket akteve nënligjore dhe atyre të Ministrisë dhe KQZ-së që i përcaktojnë afatet dhe çështjet teknike procedurale lidhur me zbatimin e nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”.

“Kjo është bazuar edhe në praktikat e mëparshme kur të drejtat që tashmë parashihen me ligj dhe rregullohen me ligj kur duhet të zbatohen ato të drejta çështje procedurale parashihen me akte nënligjore”, ka shpjeguar ajo.

Sipas saj pasi të përfundojë krijimi i bazës ligjore për çështjen e peticionit në Veri do të varët tani nga qytetarët në këtë pjesë të vendit se a dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë apo ajo.

“Unë jam e bindur që qytetarët dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë, këtë bindje e kam nga komunikimet që i kemi çdo ditë”, është shprehur ajo duke bërë të ditur se është esenciale në këtë fazë që komuniteti ndërkombëtarë të kërkojë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të ndërpresë ndikimin negativë te serbët në Veri.

“Është esenciale që komuniteti ndërkombëtar të kërkojë nga Vuçiç të ndërpresë ndikimin negativë, frikësimin e qytetarëve dhunën që përdoret nëpërmjet strukturave ilegale ndaj qytetarëve në veri dhe t’i lejojë ata t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre me kushtetutë. Mirëpo unë nuk shoh vullnet nga Vuçiç-i që të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht kryen në raport me fqinjët”.

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kishte kuptuar se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

KQZ e refuzoi për mungesë të bazës ligjore, Qeveria përmes ministrisë merr vendim për largimin e kryetarëve nga Veriu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore