Lajme

Osmani: Bëjmë koncesione prapë, por ta dimë çka përfitojmë


Vjosa Osmani

Pasi pranoi se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka mohuar as bërjen e koncesioneve në këtë drejtim në një skenarë kur Serbia refuzon të përmbushë Marrëveshjen Bazë.

Duke potencuar se Kosova do të procedojë tutje me themelimin e Asociacionit vetëm atëherë kur edhe Serbia kryen detyrat e saja të dala nga Marrëveshja Bazë, Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur edhe për një gjendje kur Kosova duhet t’i kthehet një qasjeje që vendi ka pasur kur është shpallur e pavarur.

“Duhet të kthehemi një lloj qasjeje kur Kosova ka bërë një sërë koncesionesh, të cilat nuk e kanë bërë shtet jofunksional, por kanë qenë koncesione të vështira. Por në anën tjetër, Serbia nuk ka pranuar të zbatojë pakon e Ahtisaarit. Por, çka kemi fituar ne në shkëmbim, ka qenë pavarësia e Kosovës, njohja e Kosovës dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”, ka potencuar Osmani.

Në rast se dështon parimi që të dyja palët të zbatojnë Marrëveshjen Bazë në mënyrë paralele, Osmani ka sugjeruar që Kosova të ulet me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të hartojnë një plan të qartë.

“Në qoftë se Kosova i zbaton të gjitha këto koncesione, atëherë cilat janë masat që do t’i ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar për ta përkrahur Kosovën? Ta zëmë, a është NATO-ja në tavolinë? A është statusi i kandidatit dhe pastaj ecja shpejt drejt BE-së, bazuar edhe në reformat që i kemi bërë, në tavolinë? Pra, një lloj marrëveshje mes nesh dhe partnerëve tanë është një çështje që unë e kam trajtuar që një kohë të gjatë me partnerët, në veçanti me SHBA-të, gjithnjë duke e ditur që ne do të vijmë në këtë pikë dhe Serbia sërish nuk do të zbatojë asgjë”.

E pyetur se a ka hapësirë që Zyra e Presidentes ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese, Osmani ka potencuar se ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngrit çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese.

“Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”, ka potencuar ajo.

Osmani gjatë intervistës ndër të tjera ka potencuar se Kosova duhet të procedojë tutje me Asociacionin vetëm atëherë kur ka një plan sekuencimi, e Serbia zbaton pjesën e saj të marrëveshjes.

“Në qoftë se kërkohet zbatim, duhet të kërkohet nga të dyja, siç e thashë, ndryshe krejt kredibiliteti i dialogut dhe parimi i trajtimit të barabartë të palëve nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse në njëfarë mënyre, po mbetet vetëm njëra palë në proces, pasi tjetra tashmë është tërhequr formalisht duke dërguar letër në BE që nuk do ta zbatojë marrëveshjen”, ka potencuar ajo.

Ndryshe Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Draft-statutit, që nuk është shkruar nga Kosova, por nga Bashkimi Evropian, është në plan që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës me propozim të Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Siç ka kuptuar Albanian Post nga burime ndërkombëtare, ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Të njëjtat burime thonë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që ta bëjë këtë lëvizje në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Pra, jo pritja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm dërgimi në gjykatë nga Qeveria e Kosovës do të jetë hapi i domosdoshëm i kërkuar nga ndërkombëtarët.

Kjo është paraqitur edhe në pikat e raportit të raportueses Dora Bakoyannis ku thuhet se Kosova duhet “të marrë hapa substancial dhe të prekshëm për të zbatuar të gjithë artikujt e Marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ky hap “substancial” dhe “i prekshëm” do të jetë pikërisht dërgimi i draftit për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Se Kosova do të ndërmarrë hapa “substancial” dhe “të prekshëm” u bë e qartë edhe në letrën e 22 marsit kur Kryeministri, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i thanë raportueses Bakoyannis se do t’i zbatojnë të gjitha kërkesat që ajo i ka renditur në raport.

“Do të donim të shfrytëzonim këtë mundësi t’iu informojmë se ne besnikërisht do t’u qëndrojmë listës së angazhimeve/kushteve të dhëna në Apendiksin 1 të letrës tuaj të 21 marsit 2024 për bërjen e Kosovës shtet anëtar në Këshillin e Evropës”.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore