Lajme

OSBE-ja kërkon veprim urgjent për t’i dhënë fund braktisjes së hershme të shkollës në Kosovë


Ilustrim

Misioni i OSBE-së në Kosovë, të premten, ka publikuar një raport që trajton çështjen e braktisjes së hershme të shkollës në Kosovë.

Raporti thekson se ndonëse Ministria e Arsimit ka ndërmarrë hapa konkretë për monitorimin dhe zvogëlimin e numrit të braktisjes së shkollës në mbarë Kosovën, ky problem vazhdon të jetë shqetësuese.

Misioni i OSBE-së në Kosovë vëren në raport se problemi i braktisjes së shkollës, lënies së hershme të shkollës, vijimit të parregullt dhe mosregjistrimit në arsimin e obligueshëm nga fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, është më i theksueshëm.

“Mekanizmat e zbulimit të hershëm dhe instrumentet ligjore shpeshherë janë të mangëta, duke prekur në mënyrë joproporcionale fëmijët në këto komunitete. Për më tepër, mbledhja e të dhënave dhe koordinimi ndërmjet institucioneve në nivele të ndryshme vazhdon të jetë sfidues”, thuhet në raport.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit, sipas raportit të OSBE-së, tregojnë se 43 për qind e braktisjes së shkollës në Kosovë, janë nga komuniteti ashkali, 43 për qind janë nga komuniteti egjiptian, 13 për qind nga komuniteti rom dhe 1 për qind nga komuniteti shumicë.

Hulumtimi konsideron se shumë faktorë kontribuojnë në këtë fenomen, kushtet e këqija socio-ekonomike dhe diskriminimi i shpeshtë e intensifikojnë fenomenin.

“Suksesi varet nga veprimi i shpejtë dhe të kuptuarit e thellë të shkaqeve bazë për të gjitha palët e përfshira. Institucionet duhet t’i japin prioritet kësaj çështjeje dhe të bashkëpunojnë në forcimin e mekanizmave dhe ndërhyrjeve ekzistuese administrative”.

Pa ndërhyrje aktive dhe sistematike, sipas Misionit të OSBE-së, praktika e lënies së hershme të shkollës do të vazhdojë, gjë e cila do të çojë në kufizim të perspektivave të punësimit të të rinjve dhe rritje të fuqisë punëtore të cenueshme dhe të pakualifikuar.

“Përpjekjet urgjente dhe të koordinuara janë thelbësore për ta thyer këtë cikël dhe për të promovuar një sistem arsimor më gjithëpërfshirës në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore