Kosova

Organizatat e shoqërisë civile letër KiE-së: Jemi të shqetësuar për perspektivën evropiane të Kosovës


Këshilli i Evropës.

Organizata e shoqërisë civile, i janë drejtuar me një letër të hapur Këshillit të Evropës (KiE), përmes së cilës kanë shprehur shqetësimin e tyre për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në këtë letër theksohet se organizatat mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke thënë se është “hap themelor” në forcimin e përkushtimit dhe realizimit të vendit për të drejtat e njeriut dhe konfirmimin e së ardhmes së Kosovës në BE.

“Ne, si anëtarë të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës duam t’u bëjmë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe të shprehim shqetësimet tona për perspektivën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës”.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është një hap themelor në forcimin e përkushtimit dhe realizimit të vendit për të drejtat e njeriut dhe konfirmimin e të ardhmes së Kosovës në BE”, thuhet në letër.

Letra e organizatave të shoqërisë civile drejtuar Këshillit të Evropës.

Sipas tyre, anëtarësimi në KiE do të përshpejtonte demokratizimin për të përmbushur standardet evropiane.

Ndërkaq, të njëjtat shprehin bindjen e plotë se ekzekutivi do t’i përmbushë kushtet të cilat po kërkohen.

“Ne gjithashtu e pranojmë se përgjegjësitë e Kosovës nuk përfundojnë me anëtarësimin. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që qeveria jonë të vazhdojë të përmbushë të gjitha kushtet pas anëtarësimit”.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Në bazë të agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin pranveror më 17 maj 2024 që përkon me 75-vjetorin e themilimit të organizatës kryesore të kontinentit evropian për të drejtat e njeriut, por Kosova nuk është në agjendë.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane.

Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës për momentin nuk është as në agjendë. Kjo ka të ngjarë të çojë në shtyrjen e vendimmarrjes finale për vendin e vogël ballkanik – ndoshta – për të paktën një vit, nëse jo më shumë, përveç nëse bëhet progres drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hodhi poshtë kushtin e Gjermanisë dhe Francës që nëse Kosova dëshiron të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër, ajo duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të pakthyeshëm drejt ngritjes së një mekanizmi vetëmenaxhues për serbët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore