Lajme

Opozita uron qytetarët për Bajram: T’i mbajmë zemrat e pastra


Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët muslimanë.

Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin ‘Facebook’, ka kujtuar vlerat e kësaj dite dhe rëndësinë.

“Festa e Fitër Bajramit nuk është thjeshtë një festë fetare. Është një ditë që na përkujton edhe njëherë rëndësinë e mirësisë, faljes, dhe solidaritetit”.

“Na përkujton se sa e rëndësishme është t’i mbajmë zemrat e pastërta dhe t’i hapim krahët atyre që kanë nevojë. Uroj që ky mesazh të përcillet gjeneratë pas gjenerate, duke ndarë të mirën dhe duke dëshmuar humanizmin, si vlerë e jona e patjetërsueshme”, ka shkruar Haradinaj.

Teksa, është shprehur se me këtë urim i uron të gjithë besimtarët kudo që janë.

“Me mesazhet që përçon kjo festë, uroj Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë shqiptarët myslimanë, kudo që jetojnë ata. Me fat Fitër Bajrami!”.

Urime në festën e Fitër Bajramit pati edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Ai besimtarëve myslimanë u ka uruar agjërim të pranuar.

“Me fat Fitër Bajrami të dashur besimtarë. Lutje dhe agjërim të pranuar për të gjithë ata që kaluan një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit”.

“Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social ‘Facebook’.

Teksa ka kërkuar që një ndjenjë e tillë duhet të vazhdoj të forcohet.

“Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë”.

“Shëndet, paqe e begati për ju e familjet tuaja; për gjithë atdheun tonë!”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, uroi besimtarët myslimanë për këtë festë.

“Urime Fitër Bajrami. Uroj që Zoti të ju ketë pranuar agjërimin e Ramazanit, lutjet dhe veprat e mira. Kjo ditë e veçantë, shpresoj të ju sjellë paqe, dashuri dhe shumë lumturi në mesin tuaj”.

“Sot, le të vlerësojmë bekimet e shumta që na janë dhuruar dhe të reflektojmë mbi thelbin e vërtetë të kësaj dite – rëndësinë e solidaritetit, kujdesit, harmonisë dhe unitetit mes njerëzve. Uroj që ky Bajram të ju mbushë zemrat me ngrohtësi dhe të ju frymëzojë që të përhapni mirësi dhe pozitivitet kudo që jeni e që shkoni”, ka shkruar Krasniqi.

Besimtarët myslimanë nga kjo e premte festojnë Bajramin e Fitrit.

Festë kjo që vjen pas Muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanët agjërojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Në Kosovë ceremonia kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”,

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka uruar besimtarët për këtë festë ka bërë thirrje për unitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore