Lajme

Opozita për Qeverinë Kurti: Do të mbahet mend për krijimin e krizave


Qeveria e Kosovës

Partitë opozitare kanë drejtuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për (mos)punën gjatë vitit 2022.

Sipas tyre, Qeveria as nuk ka ofruar zgjidhje për qytetarët në krizën ekonomike dhe as atë energjetike.

Të njëjtit kanë thënë se ekzekutivi vetëm se ka prodhuar “kriza të reja”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj deklaroi se Qeveria nuk ka bërë asnjë punë pozitive gjatë vitit 2022.

“Jemi ballafaquar me probleme të shumta që kanë të bëjnë me krizën e madhe që ka kapluar vendin tonë dhe e cila ka prekur gjitha shtresat. Kemi pasur probleme dhe po kemi probleme me energjinë, me çmimet që po ngritën pafundësisht”.

Rashit Qalaj.

Qalaj shton se ka pasur degradim të situatës ekonomike të popullatës.

“Sot qytetarët e Kosovës janë shumë më të varfër sesa kanë qenë para 1 viti. Po i përmendi këto se kemi një qeveri që nuk ka bërë asnjë reagim, ndërhyrje që këto sado pak të zbuten. Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë punë pozitive gjatë këtij 1 viti”.

“As në ëndërr nuk kisha mundur të parashoh një Qeveri kaq të dobët dhe jo kompetente në raport me mandatin që janë duke ushtruar”, thotë Qalaj për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Kritikë ndaj Qeverisë është treguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Nuk ka pasur ndonjë vendim që ka shkuar në favor të qytetarëve, qoftë zhvillimit ekonomik, qoftë krizës energjetike, apo krizën në veri që janë thelbësore për një shtet. Kjo qeveri do të mbahet mend për këtë vit vetëm për qëndrime ad-hoc dhe për krijimin e krizave. Edhe ato kriza që i ka krijuar nuk i ka zgjidh në mënyrën e duhur”.

“Po e marrim krizën energjetike, s’ka pasur ndonjë përmirësim apo alternativë. Përmbi gjashtë herë Kuvendi ka shpall krizë emergjente dhe këtë drejtim çështja ka mbetur aty ku ka qenë”.

Pal Lekaj.

Ngecje, sipas tij, ka pasur edhe në investimet e huaja.

“Po ashtu sa i përket zhvillimit ekonomik kemi ngadalësim, s’ka investime të huaja, s’ka punësim edhe pse këta e proklamojnë kah 40 mijë të punësuar që është një mashtrim i Qeverisë Kurti. Nëse e shikojmë si tërësi edhe ekonomia familjare ka rënë tepër, ndërmarrjet e mesme nuk janë zhvilluar, mos të flasim për ndërmarrje të mëdha që po thuajse janë para kolapsit”.

“Mund të them si opozitë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, mendoj se jemi larg asaj që ka premtuar Kurti, po del se të gjitha kanë qenë mashtrim”.

Për kundër kritikave të opozitës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vitin 2022 e ka konsideruar si të suksesshëm.

Sipas kryeministrit Kosova ka shënuar rritje në ekonomi, ndërsa pritet që këtë vit rritja ekonomike të jetë prej 4 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore