Opinione / Editoriale

Rikoshetat e Shqipërisë së vjetër


Vetëm pak ditë para hapjes së vendvotimeve, armët, plumbat, të vdekurit dhe të plagosurit janë rikthyer. Dhuna është diçka e ngulitur në faqet e historisë shqiptare: dhuna e regjimit më parë dhe, më pastaj, ajo prej politikës dhe bandave kriminale.

Por, kësaj here, ka diçka novatore: të shtënat me armë duket se vijnë nga e kaluara, ato duken se nuk kanë lidhje me konfrontimin politik të kësaj fushate.

Sigurisht, gjuha e politikës shqiptare është e dhunshme, agresive, ofenduese. Por, lajmi i mirë është se, këtë herë, dy udhëheqësit kryesorë nuk u përfshinë. Ata mbajtën nervat dhe gjuhët e tyre në vend, duke lënë mënjanë dhunën fizike në orët e fundit të fushatës zgjedhore.

Ruajtja e qetësisë nga ana e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës u përshëndet me kënaqësi prej ambasadores amerikane dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian.

Ata e dënuan ngjarjen e Elbasanit, ku një njeri mbeti i pajetë dhe u plagosën katër të tjerë, dhe përgëzuan lojën e ndershme të të dy udhëheqësve kryesorë dhe respektimin e ligjit.

Nëse pas atyre sulmeve kishte një vullnet për ta shtyrë takimin zgjedhor në një fazë kaosi dhe tensioni, plani ka dështuar.

Por, mbetet çështja: pjellë e kujt është vërshimi i dhunës në kufijtë e skenës politike?

Të krijohet përshtypja se është një lloj reagimi i dekompozuar. Një përpjekje in ekstremis e Shqipërisë së vjetër, të periudhës së parë të post-komunizmit, të hapave të parë të demokracisë, për ta kthyer mbrapsht vendin, duke mos lejuar evoluimin e shoqërisë shqiptare.

Ekziston një pjesë e botës politike dhe e qendrave të pushtetit, që i rezistojnë evolucionit të vendit tonë, që duan ta mbajnë atë të lidhur me hierarkitë e vjetra.

Nuk ka dyshim se Basha, kreu i ri i Partisë Demokratike, i cili u formësua jashtë vendit, duke asimiluar parimet dhe rregullat e politikës evropiane, ka një çakëll që e pengon për t’i transferuar në politikën e vendit tonë.

Ky “çakëll” quhet Sali Berisha. Një figurë që, pothuajse i zhdukur nga skena publike sot, por që është mjaft i pranishëm në trupin e partisë, të cilën themeloi dhe ndoshta edhe në një pjesë të shoqërisë shqiptare.

Sali Berishës i referohen sektorët më ekstremistë të së djathtës shqiptare, të cilët duan të tërheqin frerin e liderit zyrtar të partisë.

Berisha, pa dyshim, është kumbari i atij blloku interesash, që mund ta quajmë Shqipëria e vjetër: një bllok fuqie, i ngjashëm me atë që në Rusi quajnë oligarkët.

Bëhet fjalë ama për një tufë interesash, që puqen në këto momente. Janë interesat edhe të një udhëheqësi tjetër: presidentit Ilir Meta.

Nëse Berisha është Padrino-ja që punon në hije, ish-udhëheqësi socialist ka zgjedhur të mbajë rolin e agjitprop-it.

Është pikërisht presidenti, ai që çdo ditë zgjohet me vullnetin për të injektuar në debatin politik shqiptar elemente të polemikave, konfrontimeve të dhunshme dhe skandalit.

Ato që parandalojnë çdo formë dialogu, duke e transferuar përballjen midis palëve në një dimension të konfrontimit të dhunshëm.

Ambasadorja amerikane uroi Ramën dhe Bashën për ekuilibrin, por asnjëherë nuk përmendi Metën.

Kjo është e bujshme dhe shumë e veçantë, sepse është pikërisht në momentet e tensionit kur rrezikohet kryerja e qetë e funksionit themelor të demokracisë (vota), që roli super partes i presidentit duhet të ekzaltohet dhe zëri i tij duhet të jetë më vendimtari për të thirrur të gjithë për kujdes dhe bashkëjetesë paqësore.

Meta, përkundrazi, është agjitatori kryesor i politikës shqiptare: ai po luan një rol eversiv, përmbytës.

Edhe ai, sikurse Berisha, duket se është pjesë e asaj qendre të fuqive të Shqipërisë së vjetër, i cili, për të mbrojtur interesat e tij politikë (dhe jo vetëm), dëshiron të parandalojë që situata të evoluojë pozitivisht dhe të fillojë një fazë tjetër e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Për të mposhtur rezistencën konservatore, mund të jetë pikërisht propozimi për një qeveri të unitetit kombëtar, i paraqitur nga kryeministri Edi Rama, mjeti që mund të shërbejë për t’i dhënë një kthesë pozitive politikës shqiptare.

Basha e ka refuzuar propozimin për momentin, por mund ta pranojë atë pas votimit. Kjo, edhe për të çliruar veten nga përqafimi vdekjeprurës i Padrino-s.

Duke lexuar mes rreshtave të deklaratave të diplomatëve perëndimorë në Tiranë, intuita le të kuptosh se Evropa dhe Amerika janë tifozë të kësaj zgjidhjeje.

Edhe populli shqiptar mbase ka nevojë për një kapitull të ri, një politikë që diskuton për t’i dhënë një të ardhme më të mirë vendit.


Lajmet kryesore