Opinione / Politikë

Berisha dhe hýbris – një nga faqet e mitologjisë që ka harruar


Vendimi i GJKKO-së për ish-kryeministrin Sali Berisha erdhi pasi u shty dy herë.

Gjykata dha masën me arrest shtëpie në mbikqyrje. E pritshme siç thonë avokatët e Berishës apo jo, ky është fakt. Vendim i një drejtësie të lindur vonë, rezultatet e së cilës të gjithë prisnin.

Ajo çka më shumë është indinjuese (edhe pse dikush mund të thotë që është e vetmja që ai mund të bënte), është reagimi i vetë Sali Berishës, sot pas vendimit.

Një proverb i vjetër Italian thotë “Kushdo që është shkaku i dhimbjes së tij, duhet të qajë për vetveten”. Por nuk besoj, që një paralajmërim i tillë që vjen nga vargjet e Dante Aligherit, Sali Berisha realisht e beson. Jo, nëse bazohemi në deklaratën me të cilën doli.

Nëse ish-kryeministri përfundoi në arrest në shtëpinë e tij në mbikqyrje të policisë, kjo nuk është për shkak të një narko shteti, të një Edi Rama të korruptuar dhe të dhunshëm, të një gjyqësori të nënshtruar, të dy prej aleatëve më të rëndësishëm strategjikë për Shqipërinë si SHBA-të dhe MB të futur në grackën e interesave të ndyra të Ramës.

Kurse ai, ish-mjeku komunist, ai i piramidave, i depove të armëve të hapura në 1997, i naftës qe vajti drejt Serbisë, i Gërdecit, i 21 janarit, në krye të një shteti ku korrupsioni u kthye sistematik më gjatë se shumë nga politikanët e tjerë, i avokatëve me kurse 6 mujore, i një ligji pronash që akoma nuk gjen fijen zgjidhëse, i kontrollit të drejtësisë për dekada, veproi dhe vepron gjithnjë vetëm në interes të kombit dhe qytetarëve të tij.

Pushteti i lodh ata që nuk e kanë, dhe është më mirë mos e humbasësh tha dikur një nga ish kryeministrat më jetëgjatë italianë, Giulio Andreotti, i cili pushtetin e njihte mirë. Por vetë citati në vetvete përmbante një dozë të konsiderueshme arrogance. Arrogancën që pushteti i ka dhënë jo vetëm Sali Berishës në Shqipëri, por që situata në të cilën degdisi opozitën shqiptare në emër të ruajtjes së vetes dhe familjes e bën tejet evidente.

Sipas Dacher Keltner, profesor i psikologjisë në Universitetin e Berklit, pas kërkimesh të gjata dhe eksperimentesh, doli në konkluzion që subjektet në pozicione pushteti veprojnë sikur të kenë pësuar trauma të trurit. Ata bëhen më impulsivë, më pak të vetëdijshëm për rreziqet dhe, mbi të gjitha, më pak të aftë të marrin në konsideratë faktet. Kur njerëzit fitojnë pushtet, truri i tyre humbet disa aftësi themelore. Ata bëhen më pak perceptues, më pak të interesuar për të kuptuar të tjerët dhe rrethanat ose të gatshëm për të pasur sukses.

Ka një fjalë shumë të lashtë greke që e përshkruan mirë të gjithë këtë: hýbris. Fjalë që tregon arrogancën, fodullëkun, narcisisimin e atyre që kanë arritur një pozitë të caktuar dhe e mbivlerësojnë veten, duke ndjerë një fuqi të pamatshme.

Është e dukshme që termi grek nënkupton gjithashtu fatalitetin e një dënimi të mëvonshëm, hyjnor ose tokësor: që ka të bëjë me dështimin dhe rënien.

E kuptoj që Gjykata të marrë një masë të tillë për një ish kryeministër afër 80 vjetëve për hetimin e një afere si ajo e ish-klubit Partizani mund të duket qesharake. Por në fund të fundit Al Capone u dënua për vetëm taksat e papaguara.


Lajmet kryesore