Opinione / Editoriale

Alergjia e Qeverisë së Kosovës ndaj shtypit të lirë


Gjatë gjithë kohës së marrjes së pushtetit, sepse e tillë është më shumë se menaxhim pushteti, qeveria e Kosovës nuk ka humbur asnjë rast për të sulmuar ata që shkruajnë për të, në rastet kur nuk kanë mundur të kooptojnë, nuk ka humbur asnjë rast në kërkim të heshtjes ndaj zërave kundër, t’u shmangen çështjeve me insinuata dhe të shkojnë përtej teorisë së konspiracionit dhe ofensivës kundër lirisë së shtypit.

Qeveria e Kosovës urdhëroi mbylljen e televizionit më të madh në Kosovë, Klan Kosova, me arsyetime teknike, se kompania e biznesit që është bërë pronare këtij TV e ka biznesin e saj të regjistruar në Serbi.

Pas këtij hapi qeveria sërish paditi gazetarin Berat Buzhala për detyrime fiskale të diskutueshme.

Dhe dje, kryeredaktori i zyrës së Prishtinës së Albanian Post, Lirim Mehmetaj, thërritet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mos durimit”, pas dorëzimit të një kallëzimi penal ndaj Mehmetaj nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Tema e lirisë së shtypit mbetet një nga temat më të nxehta në të gjitha ato vende që pretendohet se janë demokratike, dhe pa dyshim rankimi i Kosovës nga organizata ndërkombëtare nuk jep shtytje për optimizëm.

Liria e shtypit sheh në Kushtetutat e vendeve demokratike një mbrojtje të qartë, të padiskutueshme, në lidhje me të cilën ka edhe një marrje përgjegjësie nga ana e gazetarëve: besnikëria, pavarësia e informacionit, liria e kritikës, respektimi i njerëzve dhe i fakteve.

Dhe sulmi i fundit ndaj Mehmetaj është një nga temat më kontroverse kur bëhet fjalë për lirinë e shtypit. Kallëzimi penal ndaj kryeredaktorit të Albanian Post, erdhi pas kritikës që ky i fundit i bëri deputetit të pushtetit, Dimal Basha, i cili, duke akuzuar partitë opozitare për bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare “këta te PDK-së kanë ardhur nga Drenica në Prishtinë, lypin mu nxeh dimrit dhe nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare (ishte një marrëveshje që parashihte investim në ngrohtore të qytetit)”, ofendoi qytetarët e rajonit të Drenicës.

Mehmetaj e cilësoi si “ gjuhë fashiste” atë të deputetit Basha, i cili pastaj dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Prokurorja veproi në mënyrë të qëllimshme në këtë lloj forme, nga njëra anë për të frikësuar gazetarin në fjalë dhe median së cilës i përket, dhe nga ana tjetër për të treguar që në fakt nuk është liria e shtypit ajo që kërkon të cenojë, madje respektimi i saj, pasi përhapja e gjuhës së urrejtjes ose nxitja e dhunës bëjnë pjesë pikërisht në rrethanat e jashtëzakonshme, kur të drejta të tjera themelore janë shkelur rëndë, si në rastin në fjalë.

Por a jemi këtu përballë asaj që me shumë gjasë prokurorja kërkon ta fusë në grupin e “Gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes”, apo në atë që është shprehja e lirë e opinionit.

Përpjekja në fakt është një formë censurimi kur realiteti është shumë ndryshe. Për të fshehur thelbin e fjalëve të tij raciste, deputeti Basha shtrembëron realitetin duke kaluar përmes gjuhës së prokurores në falsifikim brutal të realitetit dhe kundërshton parimet bazë të bashkëjetesës civile.

Është detyrë profesionale e çdo gazetari të përgjegjshëm të përgënjeshtrojë deklaratat raciste, t’u bëjë të qartë lexuesve dhe dëgjuesve falsitetin e tyre të brendshëm. Një përgjegjësi, ajo e gazetarëve, që në fakt nuk duhet të shmanget, por me të cilën nuk jemi mësuar.

Përgjegjësi që janë edhe më të mëdha kur aktorët e gjuhës së urrejtjes janë politikanët. Gazetari objektiv dhe i ndershëm, duhet të regjistrojë faktin se është bërë një deklaratë e caktuar dhe kurrsesi nuk duhet ta lërë mikrofonin në mënyrë pasive nën gojën e dikujt që flet si t’i vijë.

Ndodh shpesh jemi dëshmitarë të politikanëve që dalin me deklarata të urrejtjes së pastër, që më pas kalojnë si opinione dhe kështu përhapet në mesin e njerëzve ideja se fyerjet janë opinione.

Çështja e balancimit ndërmjet lirisë së shprehjes gazetareske dhe mbrojtjes së reputacionit (gjë që politikani kërkon të bëjë), duke iu referuar legjitimitetit të përdorimit të dënimit penal si sanksion për shpifje në shtyp është debat i gjatë i vetë jurisprudencës dhe në vetë Unionin Evropian.

E drejta absolute e dyfishtë (e gazetarit) për të informuar dhe (e qytetarëve) për t’u informuar në “shoqërinë e informacionit” të sotëm është i një rëndësie të veçantë.

Shqiptimi i sanksioneve penale, por edhe civile apo administrative, për shpifjen në shtyp është rindërtuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, si ndërhyrje në lirinë e shprehjes, në përputhje me nenin 10 të Konventës Evropiane për Lirinë e Shtypit.

Efekti bindës që ka frika nga sanksionet e këtij lloji në ushtrimin e lirisë së shprehjes nga gazetarët është evident.

Dhe për këtë Gjykata shqyrton një mori faktorësh: kontributin e publikimin e një debati me interes publik, shkallën e famës së njerëzve së përfshirë, subjektin e publikimit dhe ndikimi i këtij të fundit, mënyrën se si është marrë informacioni dhe vërtetësia e tij, përmbajtjen, formën dhe pasojat e publikimit dhe më në fund, ashpërsinë e sanksioneve të vendosura ndaj gazetarit, drejtorit ose botuesit.

Dhe padyshim prioritetin e merr liria shtypit dhe informimit dhe roli i saj thelbësor si “mbrojtëse” e demokracisë.

Cilësia e demokracisë varet nga sa i lirë është shtypi. Një kryeministër si Kurti, me pushtetin që gëzon, nuk mund t’ia lejojë vetes sulmin direkt ndaj shtypit, ndaj dhe akuzat ndjekin rrafshe të ndryshme. Ato kalojnë nga regjistrim biznesi, detyrimet fiskale, nxitje të përçarjes, etj.

Kjo është në thelb përpjekja e pastër për të dënuar çdo përpjekje kritike duke treguar qartësisht alergjinë e tij dhe militantëve të verbër ndaj kujtdo që i vihet si barrikadë në arritjen e qëllimit, por është edhe një rast për të menduar së bashku, se cilat janë prioritete tona në një shoqëri demokratike, të drejtat dhe cilën betejë duhet të ndjekim të gjithë si shoqëri.


Lajmet kryesore