Opinione / Politikë

75 vjet Deklaratë Universale, por jo globale


Më 10 dhjetor 1948, menjëherë pas fitores së aleatëve ndaj nazistëve, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Paris, në Palais de Chaillot, miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNJ).

Dy vjet më vonë, në vitin 1950, u vendos që 10 dhjetori të shënohet si Dita Botërore dedikuar deklaratës.

Pasi dolën nga tragjedia e Luftës së Dytë Botërore, kombet shprehën dëshirën dhe ambicien për të rindërtuar një shoqëri më të drejtë. Nuk bëhej fjalë për të harruar tragjedinë dhe tmerrin që ajo luftë kishte shkaktuar në Evropë dhe në mbarë botën, por u shpreh nevoja për herë të parë për liri, barazi dhe universalitet ndaj drejtësisë.

Kombet dilnin nga një luftë tragjike, pas përvojës së kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes, urrejtjes racore, Holokaustit, bombave atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, pas 50 milionë vdekjesh, pas një kolapsi ekonomik, varfërisë ekstreme të popullsive.

Preambula e Deklaratës saktëson në fakt se “mohimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut kanë çuar në akte barbarie që ofendojnë ndërgjegjen e njerëzimit”, prandaj e konsideron thelbësore që “të drejtat e njeriut të mbrohen me norma ligjore, nëse duam të shmangim që njeriu të detyrohet të përdorë, si mjet të fundit, rebelimin kundër tiranisë dhe shtypjes”.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është dokumenti i parë organik për të drejtat e njeriut i miratuar në nivel ndërkombëtar, një dokument që përcakton parimet dhe të drejtat themelore të personit dhe që, së bashku me Kartën e Kombeve të Bashkuara, përbën një moment historik në historinë e së drejtës ndërkombëtare dhe shënon fillimin e një epoke të re nga pikë pamja juridike, politike, kulturore dhe sociale që  në  qendër ka qenien njerëzore.

Pa forcë detyruese, ajo pohon përparësinë e të drejtave dhe lirive të individëve mbi të drejtat e shteteve, duke përfshirë të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore në të njëjtin nivel me liritë civile dhe politike “pa dallim race, seksi, feje, ideologjie politike”. Të drejtat e njeriut nuk duhet të jenë më një çështje e brendshme, por një çështje “universale”.

Pikërisht për këtë karakteristikë, Deklarata përfaqëson një dokument unik, të miratuar në një periudhë historike shumë komplekse dhe të karakterizuar nga përballja midis blloqeve që shënuan të gjithë Luftën e Ftohtë.

Deklarata u hartua nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, një komitet i krijuar nga Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara dhe i përbërë nga anëtarë prej tetë shtetesh, të përzgjedhur në bazë të kriterit të përfaqësimit më të gjerë gjeografik. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, i përbërë në këtë mënyrë, kryesohej nga Eleanor Roosevelt, e veja e presidentit amerikan Franklin Roosevelt, si dhe një aktiviste tejet e pasionuar politike dhe mbështetëse e të drejtave të njeriut.

Eleanor Roosevelt dhe ndikimi i saj

Komiteti redaktues i kryesuar nga Eleanor Roosevelt, i cili përfshinte personalitete nga vende të ndryshme, u krijua në vitin 1947, pas disa muajsh përgatitjeje.

Kanadezi John Peters Humphrey dhe francezi René Cassin ishin udhëheqësit kryesorë. Sipas juristit René Cassin, Deklarata do të ishte “Manifesti i parë që njerëzimi i organizuar ka miratuar ndonjëherë”, parimet bazë të së cilës janë të frymëzuara nga Deklarata Amerikane e Pavarësisë e 1776 dhe Deklarata Franceze e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve të 1789.

Është Eleanor Roosevelt që koordinoi punën e Komisionit të Kombeve të Bashkuara. Roli iu propozua nga presidenti i ri amerikan, Harry S. Truman.

Në veçanti, ajo koordinoi një grup të vogël intelektualësh që kishin për detyrë të hartonin një draft të deklaratës. Ajo gjithashtu përfitoi nga mbështetja e UNESCO-s, e cila nga ana e saj ngarkoi filozofin Jacques Maritain të kryente një konsultim global me personalitete nga bota e politikës, shkencës dhe kulturës, të ardhur nga vende të ndryshme, për t’i dhënë një vlerë të vërtetë universale Deklaratës së të Drejtave të  Njeriut.

Jo shumë ndryshe ishte mendimi i vetë Eleanor Roosevelt e cila në fjalimin e saj për dhjetëvjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në  New York në 1958 deklaroi “Ku fillojnë të drejtat universale të njeriut? Në vende të vogla afër shtëpisë, aq afër dhe aq të vogla sa nuk mund të shihen në asnjë hartë të botës. Por ato janë bota e çdo njeriu: lagjja ku jetoni, shkolla që ndiqni, fabrika, ferma ose zyra ku punoni. Këto janë vendet ku çdo burrë, grua apo fëmijë kërkon drejtësi të barabartë, mundësi të barabarta, dinjitet të barabartë pa diskriminim”.

Megjithatë, ndërkohë që roli i Eleanor Roosevelt në hartimin e dokumentit është i mirënjohur, më pak i njohur është fakti se gra të tjera, nga India, Pakistani, Danimarka, Blloku Komunist dhe vende të tjera në mbarë botën, dhanë kontribute themelore në lindjen e Deklaratës.

Është falë aktivistes dhe shkrimtares indiane Hansa Mehta që fraza e frymëzuar nga francezët “të gjitha burrat lindin të lirë dhe të barabartë”, marrë nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit të vitit 1789, u riformulua në “të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë”. Një frazë që do të rezultojë revolucionare përsa i përket të drejtave të grave dhe pakicave.

Deklarata u miratua me konsensus, nga 48 prej 58 anëtarëve, dy munguan (Jemeni dhe Hondurasi) dhe tetë  abstenuan (Bjellorusia, Ukraina, BRSS, Çekosllovakia, Polonia, Jugosllavia si dhe Arabia Saudite, e cila kundërshtonte barazinë gjinore, dhe Afrika e Jugut e aparteidit).

Në një kohë kur bota ishte e ndarë mes bllokut lindor dhe atij perëndimor, gjetja e gjuhës së përbashkët ishte një detyrë kolosale, me komunistët nga njëra anë  që shihnin tek deklarata një teprim të të drejtave individuale dhe politike në dëm të të drejtave sociale dhe demokracitë perëndimore, nga ana tjetër, që  i rezistuan idesë së përkthimit të deklaratës në një instrument ligjor të detyrueshëm, nga frika se ajo do të përdorej kundër tyre nga vendet e kolonizuara.

Një themel i së drejtës ndërkombëtare

Në kohën e miratimit të dokumentit askush nuk mund të parashikonte se Deklarata do të çonte në një proces historik të përgjithësimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në shkallë globale dhe universale. Deklarata në fakt siguroi bazën për hartimin e dy paktave pasuese, Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, si dhe bazën e shumë traktateve dhe dokumenteve të tjera.

Në dekadat pasuese Deklarata evoloi nga një instrument i thjeshtë jo-ligjor detyrues në gurthemelin e sistemit ndërkombëtar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe në themelin e konventave dhe dokumenteve të mëvonshme ligjërisht të detyrueshme.

Konventat ndërkombëtare të vitit 1979 kundër diskriminimit ndaj grave, të vitit 1984 kundër torturës, të vitit 1990 për të drejtat e fëmijëve, krijimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në 1998 rezultojnë drejtpërdrejt të bazuara te DUDNJ. Deklarata gjithashtu frymëzoi të drejtën e ndërhyrjes dhe të  ndihmës humanitare.

Ku janë sot ?

Po të mendohet se vetëm që nga Iluminizmi filloi të shfuqizohej tortura – deri atëherë e praktikuar nga të gjitha gjykatat në botë – mund të kuptohet se sa larg kemi arritur. Por, nëse Deklarata ka mundësuar një avancim të caktuar drejt arritjes së idealit të përbashkët, ajo ende nuk ka mundur të  parandalojë shkeljet e të drejtave themelore të njohura.

Pas impulsit dhe entuziazmit të pas Luftës së Dytë Botërore, me kalimin e viteve, zbatimi i të drejtave të njeriut mbetet i paplotë dhe shumë i larmishëm në varësi të zonave gjeografike dhe vendeve të ndryshme. Pavarësisht progresit të arritur dhe angazhimit të vazhdueshëm të aktivistëve dhe mbështetësve të të drejtave të njeriut, tridhjetë nenet e Deklaratës mbeten një mirazh për një pjesë të madhe të njerëzimit.

Shpesh herë universalizmi me të cilin krenohemi është përshkruar nga disa vende si një diktat perëndimor. Rezistenca ideologjike, kulturore dhe fetare shpesh është shfaqur nga shumë  vende demokratike me qeverisje sovraniste apo autoritare, apo vende të tjera si Kina, Rusia apo vendet myslimane ku zbatohet ligji i Sheriatit.

Për më tepër, shumë prej arritjeve të dekadave të fundit tani vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje dhe kërcënohen nga pengesa edhe në  vendet me një traditë të fortë demokratike.

Nga ana tjetër, disa ngjarje shumë të rënda, veçanërisht gjenocidet si ai i Ruandës, Bosnjës, lufta në Siri, Jemen, Ukrainë, Izrael-Palestinë së fundmi, kanë tronditur thellësisht opinionin publik botëror.

Problemi i marrëdhënies midis vlerës universale të të drejtave të njeriut dhe traditave e kulturave lokale mbetet i pazgjidhur. Ndërkohë që dyshimet që forca e përdorur nga pushtetet, që sjellja e dhunshme dhe agresive nga subjektet shtetërore dhe joshtetërore, ngre mbi mundësinë reale të gëzimit të të drejtave të njeriut në botën bashkëkohore, mbeten të forta dhe kthehen në bindje.

Këto ushqehen dhe rriten nga pabarazitë në rritje, nga një botë ku një në dhjetë fëmijë është viktimë e punës nga një botë ku rajone të tëra janë shkatërruar nga konfliktet e përgjakshme, ku gratë dhe vajzat janë të margjinalizuara dhe janë viktima të dhunës, ku miliona njerëzve u është dashur të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftërave dhe persekutimit, ku migrantët dhe refugjatët janë të privuar nga të drejtat e tyre themelore dhe të diskriminuar, ku minoritetet dhe grupet më të cenueshme mbeten target për qitje, ku fushata ushtarake dhe spastrimi etnik kryhen nën sytë indiferentë të komunitetit ndërkombëtar, ku pabarazia sociale po rritet ndjeshëm dhe liria e shprehjes minohet e rrezikohet përditë.

Rruga për t’u bërë është ende akoma e gjatë, e çka mungon sot më shumë është besimi dhe entuziazmi që ligji ndërkombëtar, edhe ai, ka të njëjtën vlerë për të gjithë.


Lajmet kryesore