Shqipëria

Operacioni “Tempulli 2”: Në Elbasan prangoset një student dhe një anëtar i këshillit bashkiak


Një nga shtatë grupet kriminale që u shkatërrua këtë të hënë të 22 janarit në kuadër të operacionit “Tempulli 2” e kryente aktivitetin kriminal në Qarkun e Elbasanit.

Sakaq, mes 20 personave që kanë rënë në pranga në Elbasan, rezulton të jenë edhe një  student.

Po ashtu mësohet se mes tyre është edhe një anëtar i këshillit bashkiak i grupit të këshilltarëve të djathtë.

Teksa është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi gjatë javës, ata do të dalin para trupit gjykues ku do të vlerësohet masa e arrestit.

Gjithashtu pritet të caktohet masa e sigurisë.

‘Tempulli 2’ ka goditur anëtarët e shtatë grupeve kriminale që merren me shpërndarjen e drogave afër shkollave dhe jo vetëm.

Kështu bëri me dije Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, ku theksoi se janë 273 të arrestuar.

Rrumbullaku theksoi se faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm me shkollat, por ka në fokus kriminalitetin në të gjithë vendin.

“Në bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme janë inicuar 66 hetime proaktive. Janë marrë 295 urdhra ndalimi dhe vendime arresti. Faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm me shkollat, por ka në fokus kriminalitetin në të gjithë vendin. Fokusi ka qenë goditja e fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në këtë operacion janë sekuestruar edhe prova që kanë të bëjmë me tërësinë e operacionit vijues “Sundimi i ligjit”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se nuk ka pasur asnjë dekonspirim.

“Kemi arritur të realizojmë një fazë të dytë të Tempulli. Ka disa suksese, ka qenë një operacion i madh në shkallë kombëtare, suksesi i parë lidhet me faktin që nuk kemi patur rrjedhje të informacionit. Urdhrat e lëshuar, janë realizuar me suksese. Biem dakord me të gjithë banorët se na duhet të rrisim prezencën tonë në territor për shkolla të sigurta. Edhe sasia e lëndëve narkotike është shumë e madhe kraharuas me pritshmëritë. Edhe gjatë këtij operacioni kemi një numër armësh pa leje të sekuestruara”.

Ndër të tjera Balla u shpreh se Kodi i ri Penal, i cili është në hartim do të shtrohet për diskutim publik dhe se pjesë e tij do të jetë edhe lehtësitë ligjore për personat që dorëzojnë armët pa lejë në mënyrë vullnetare.

Megaoperacioni u zhvillua njëkohësisht përgjatë mbrëmjes së kaluar dhe orëve të para në Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Dibër, Gjirokastër e të gjitha DVP e tjera të vendit.

Në vazhdën e megaoperacionit “Tempulli”, ku u arrestuan mbi 250 persona që shpërndanin lëndë narkotike kryesisht në afërsi të shkollave.

Janë goditur kryesuesit e grupeve të shpërndarësve të cilët kanë operuar ndër vite në Tiranë e në rrethe. Ajo që vihet re është fakti se të arrestuarit kanë një grupmoshë relativisht të re, ku dominon ajo nga 20- 35 vjeç.

Pse operacioni “Tempulli 1” ka rëndësi të veçantë?

Aspekti i parë lidhet me faktin se operacioni është zhvilluar pak ditë pas nisjes së sezonit të ri shkollor në gjithë vendin.

Shënjestër kryesore në fakt kanë qenë ata, të cilët ministri i Brendshëm Taulant Balla i etiketoi si “spaçatorë” – pra shpërndarës të drogave të lehta e të forta në perimetra shkollorë, të cilët sot janë të rrethuar nga Policia dhe mbikëqyren aktivisht nga efektivët e rendit.

Po ashtu, operacioni erdhi në ditën kur në Tiranë, po zhvillohej një ministerial tepër i rëndësishëm i ministrave të Brendshëm të gjithë Bashkimit Evropian, në kuadër të mbajtjes së ardhshme të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Ky ishte edhe një mesazh i qartë ndaj bashkësisë ndërkombëtare se Shqipëria po kërkon një reformimi në radhët e bluve.

Ku u shtri operacioni dhe çfarë u evidentua?

Pjesa më e madhe e të arrestuarve ishin anëtarë të grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Shtrirja e këtij operacioni gjithsesi ka qenë në rangun e tetë muajve dhe gjatë kësaj kohe, janë sekuestruar “829 kilogramë kanabisi, një pjesë e përpunuar në formë çokollate, 61 kilogramë heroinë, 5.2 kilogramë drogë ekstazi dhe të ndaluar në tërësi në tetë muaj janë 1 mijë e 541 shtetas për shitje lëndësh narkotike”.

Ministri Balla ka nënvizuar se asnjë grup kriminal nuk do të lejohet të veprojë brenda perimetrit të sigurisë në shkollat e vendit dhe se format e dënimit për raste të tilla do të dyfishohen.

“Do dyfishohen format e dënimit për shpërndarjen e shitjen e lëndëve narkotike brenda perimetrit të sigurisë së shkollave”.

Ai ka nxitur Policinë e Shtetit ta ruajë këtë qasje të re në luftën kundër narkotikëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore