Shqipëria

Operacioni i SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, Rama: Shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur operacionin e Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit për goditjen e grupeve kriminale, të shpërndara në disa qytete të vendit.

Rama e ka cilësuar si shembullin më kuptimplotë të fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar me të gjithë forcën e ligjit.

“Respekt për këtë shembull kaq domethënës. Mbështetje deri në fund”, përmbyllet mesazhi i Kryeministrit në median sociale Twitter.

Më herët, edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, reagoi duke theksuar se nuk ka kompromis me krimin e organizuar.

Më herët, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, pasqyruan detajet e këtij aksioni.

Kraja tha se, nga hetimet, u zbulua një rrjet i gjerë kriminal, ku kanë qenë të përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme.

Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK-ut, nisi një aksion në disa qytete të vendit. Operacioni i Policisë ka vijuar në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier.

Ky aksion ka ardhur pas rrëfimit të Nuredin Dumanit – i arrestuar më 29 mars të këtij viti. Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore