Kosova

Drejtori i policisë e pranon se Sveçla ka qasje në dhomat operative – “ama vendimet i marrim ne”


Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka pranuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qasje në dhomat operative të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut.

“Sa i përket qasjes së ministrit në dhomat operative në Qendrën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë ekziston një dhomë operative e përbashkët e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë. Ministri ka qenë disa herë këtë dhomë dhe ne kemi komunikuar me të, por vendimmarrjen direkte e ka Policia e Kosovës”, tha Hoxha gjatë një interviste në emisionin “Tempus”.

Ai është pyetur se si mund të shpjegohet nga publiku që një ministër i Punëve të Brendshme e luan rolin e hetuesit apo prokurorit duke prezantuar prova të aksioneve nga organet e rendit, derisa Hoxha është munduar ta arsyetoj kreun e MPB-së.

“Menaxhimi i sigurisë së veriut të vendit nuk është vetëm punë e policisë, kemi përballë një makineri të tërë propagandistike të fqinjit verior. Këtë po e bën ministri për të luftuar kërcënim që vjen nga Serbia”, theksoi Hoxha.

“Operacion model që e parandaloi agresionin e një grupi terrorist”, Hoxha për intervenimin në Banjë

Gjatë kësaj interviste, Hoxha e ka cilësuar si operacion “model” intervenimin e njësive elitare të Policisë gjatë vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, kur një grup terroristesh të prirë nga krimineli Milan Radojiçiç kishin sulmuar zyrtarët policorë duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

“Ka qenë operacion model, pasi nuk ka pasur dëme në civil dhe objektin e Manastirit të Banjës. Ne arritëm ta parandalojmë një agresion të një grupi terrorist i cili kishte për qëllim që krijonte një lloj korridori të lirë nga Serbia duke u futur në Banjë, pastaj për të shtrirë rezistencën në gjithë pjesën veriore të Kosovës me qëllim të krijimit të një realiteti të ri në vendin tonë”, tha ai në emisionin “Tempus”.

Gazmend Hoxha

Ai ka shtuar se organet e rendit përmes reagimit efektiv e zmbrapsen grupin terrorist që synonte “aneksimin e veriut” më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Ka pasur informacione që grupe kriminale janë duke u trajnuar dhe përgatitur në Serbi. Kemi pasur njësitë që kanë qenë të gatshme për të reaguar, gjë që është dëshmuar edhe gjatë operacionit”, ka treguar Hoxha, derisa ka shtuar se situata e sigurisë vazhdon të jetë “e brishtë”.

“Për shkak të ndikimit të grupeve kriminale dhe po ashtu ndikimit të Qeverisë së Serbisë, që ka instrumentalizuar disa grupe, siç është rasti i grupit të Radojiçiç, por edhe grupe tjera”.

Për sulmin terrorist në Banjë, autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore