Lajme

Oligarkët rusë janë të mirëpritur në Turqi, thotë Cavusoglu


Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu deklaroi se do të mirëpriste oligarkët rusë të sanksionuar në vendin e tij – si turistë dhe si investitorë.

Kjo, për sa kohë që çdo marrëveshje biznesi të bëhej brenda sferës së ligjit ndërkombëtar.

Kryediplomati turk e njoftoi këtë gjatë një interviste në Doha me korrespondenten e CNBC-së, Hadley Gamble.

Turqia ka qenë në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi në ujërat e saj bregdetare mbërritën dy superjahte.

Këto të fundit thuhet se i përkasin oligarkut rus Roman Abramovich.

“Ne zbatojmë sanksionet e miratuara nga OKB-ja, kështu që nëse ndonjë qytetar rus dëshiron të vizitojë Turqinë, sigurisht, ata mund të vizitojnë Turqinë. Tani rusët po vijnë për të vizituar Turqinë, nuk është problem”, tha Cavusoglu.

Kur u pyet nëse kjo shtrihej në investime dhe biznes, zyrtari u përgjigj “vetëm nëse është e ligjshme dhe nuk është kundër ligjit ndërkombëtar”.

“Nëse është kundër ligjit ndërkombëtar, atëherë kjo është një histori tjetër”, shtoi kryediplomati turk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore