Lajme

Odat Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë takohen në Shkup, Rafuna: Do të kërkojmë heqjen e barrierave ndaj prodhimeve “Made in Kosova”


Lulzim Rafuna

Pas takimit të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë, të enjten do të takohen në Shkup për të diskutuar për tejkalimin e barrierave administrative në fushën e ekonomisë.

Në këtë takim Oda Ekonomike e Kosovës, do të kërkojë nga ajo e Serbisë heqjen e barrierave ndaj prodhimeve “Made in Kosova”.

Kështu të paktën ka bërë të ditur kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili ka theksuar se në këtë takim të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut do të marrin pjesë edhe zyrtarët e Komisionit Evropian dhe zyrtarë të Qeverisë gjermane që janë edhe themelues të iniciativës në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Pengesë kryesore është pengimi i eksportit të prodhimeve të Kosovës drejt Serbisë. Këto shqetësime ngritën përditë nga prodhuesit e Kosovës. Për shembull Birra e Kosovës nuk lejohet të eksportohet në Serbi me arsyen e vetëm sepse në etiketën e birrës shkruan ‘Made in Kosova’. Ka një kërkesë tepër të madhe nga kompani të shumta në Serbi për importin e birrës së Kosovës, por kjo pengohet nga Qeveria serbe”, ka thënë Rafuna.

Pengesa tjetër e Serbisë në fushën e tregtisë, sipas Rafunës, është mosnjohja e certifikatave fito-sanitare dhe atyre veterinare.

“Kjo po penalizon shumë prodhuesit dhe kompanitë kosovare, të cilët nuk po mund të eksportojnë mallrat e tyre në tregun e Serbisë. Ka edhe shumë probleme të tjera të natyrës administrative, kur zyrtarët serbë në kufi vonojnë ngarkesat me mallra për ditë të tëra”, ka shtuar ai.

E të gjitha këto pengesa, sipas Rafunës, do të ngritën sot si çështje në takimin e rregullt të dy Odave.

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë të enjten diskutojnë për tejkalimin e barrierave  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore