Lajme

Odaloviç: Kurti të zhbllokojë procesin e zgjidhjes së çështjes së të pagjeturve


Kreu i Komisionit për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Veljko Odaloviç

Kreu i Komisionit për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Veljko Odaloviç, ka thënë për BBC Serbia se shpreson që këtë marte të arrihet një marrëveshjes në Bruksel për të pagjeturit.

“Familjet kanë të drejtë të zbulojnë fatin e të dashurve të tyre dhe të kenë mundësinë t’i varrosin me dinjitet dhe të gjithë ata që kanë kryer krime të ndiqen penalisht”, thekson Odaloviç.

“Marrëveshja ka dimension politik, por kjo nuk është çështje politike, por humanitare”, shtoi ai.

Ai pretendon se Prishtina është përgjegjëse për faktin se procesi i gjetjes së të pagjeturve është ndalur qe dy vite.

“Është e rëndësishme që Albin Kurti duke e pranuar këtë dokument që sjell një cilësi të re, ta çlirojë temën që ka kapur dy vite më parë, që të fillojmë të merremi me çështjen humanitare siç kemi bërë deri tani. Në këtë mandat kemi zgjidhur më shumë se 1800 raste të personave të zhdukur, prej të cilëve 90 për qind janë shqiptarë të Kosovës”, thotë Odaloviç, duke përshkruar periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2021.

“Serbia ishte pajtuar të jap të dhënat, të nis procedurat penale dhe të kompensojë familjet” – Manaj për Albanain Post: Po mos të rrëzohej Qeveria Hoti çështja e të pagjeturve do zgjidhej para dy vjetësh

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç Vuçiç kishte kërkuar që “për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviç”.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur/zhdukur me dhunë vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore