Kosova

Oda e infermierëve: Është përgjegjësi e institucioneve që të mos mbajnë profesionistë shëndetësorë të pa licencuar


Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Pas akuzave të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), se Oda e Infermierëve të Kosovës është përgjegjës për licensim të mjekëve, përmes një reagimi ky institucion ka thënë se nuk është obligim i Odës që të kryej një përgjegjësi të tillë.

Oda e Infermierëve përmes një komunikate për media ka thënë se kjo përgjegjësi është e institucioneve të tjera.

“OIK ka të dhëna dhe regjistra të saktë për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të licencuar, mirëpo ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi nëse ata operojnë apo fitojnë në konkurse pa pasur licencat përkatëse. Është përgjegjësi e institucioneve që të mos mbajnë profesionistë shëndetësorë të pa licencuar në institucionet e tyre”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtit i kanë bërë thirrje SHSKUK-së që të tërheq deklarata të tilla.

“Tentimi që kjo përgjegjësi t’i atribuohet odave të profesionistëve tjerë shëndetësorë është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Andaj, i bëjmë thirrje menaxhmentit të SHSKUK-së që të tërheqë këto deklarata të pamatura dhe të kërkojë falje publike odave të profesionistëve shëndetësorë”.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Çka ndodhi?

Të dielën e 27 nëntorit, në media është publikuar një video ku logopedi I.F nga Gjilani ka abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 5 vjeçar të diagnostikuar me autizëm.

Mediat në Kosovë, kishin siguruar video incizimet ku i njëjti ishte dëgjuar duke e ofenduar fëmiun teksa dëgjonte të qarat e tij.

I.F, përveç se udhëhiqte ordinancën e vet, ishte emëruar edhe ud. i shefit të shërbimit të Logopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Prindi i fëmijës kishte një kohë të gjatë që e dërgonte vajzën e saj në këtë ordinancë.

Pas këtij rasti me doktorin familjarët u konfrontuan fizikisht.

Pas kësaj përleshje, policia kishte arrestuar 2 nga familjarët e vajzës 5 vjeçare.

Një muaj paraburgim për logopedin e dyshuar për abuzim ndaj 5 vjeçares

Të hënën e 28 nëntorit, gjykata Themelore në Gjilan, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh logopedit I.F, i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo gjykatë.

“I pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me nenin 94 paragrafi 4 nënparagrafi 4.4 të Ligjit mbi Shëndetësinë, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, përmes të cilave ka ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijut”,thuhet në njoftim.

I pandehuri I.F dyshohet se ka kryer veprën penale “Trajtim i i pandërgjegjshëm mjekësor”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Një muaj paraburgim është caktuar edhe ndaj dy të tjerëve I.SH dhe R.V, për sulm ndaj logopedit.

“Me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit I. F., ashtu që fillimisht i pandehuri I. Sh., i revoltuar nga sjellja e mjekut ndaj fëmijut, hynë dhe i drejtohet të dëmtuarit duke e fyer me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë dhe në atë moment ndërhyn edhe i pandehuri R. V”.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore